Nga: GEORGE BOVT*Duket se një Luftë e re e Ftohtë, midis Rusisë dhe Perëndimit është e pashmangshme, edhe nëse konflikti në Ukrainë mbetet i “ngrirë” në formën e tij aktuale, së paku deri këtë verë. Ishte e qartë që një vit më parë, me aneksimin e Krimesë dhe fillimin e luftës në Ukrainën Lindore, se marrëdhëniet e Rusisë me Evropën, dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, nuk do të mbeteshin si më parë.

Tani është koha të pyesim sesi do të duket kjo përballje e re, si ideologjikisht ashtu edhe institucionalisht. Format e ndërveprimit mes Rusisë dhe Perëndimit, që u zhvilluan pas Luftës së parë së Ftohtë, të tilla si Partneriteti për Paqe me NATO­n dhe partneriteti me Bashkimin Evropian, tanimë janë lënë në harresë. Dhe në qoftë se, për shembull, Rusia kthehet në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës deri në fund të vitit, ajo do të përballet atje me kritika të pafundme dhe leksione sesi duhet të sillet një shtet demokratik. Dhe për shkak se këto organizata, janë të bazuara mbi parime të caktuara, anëtarësimi në to për Rusinë kishte kuptim, sa kohë që Moska ishte angazhuar në një dialog për “vlerat e përbashkëta evropiane”. Por tanimë që Kremlini e ka bërë mëse të qartë se nuk ndan më këto vlera, përse të mërzitet më kot duke lënë një tjetër hapësirë për sherr me Perëndimin? Anëtarësimi në Këshillin e Sigurimit të OKB­së, i ofron mundësi të mjaftueshme për këtë.

Me bashkëpunimin, që tashmë është diçka e së shkuarës, çështja më e ngutshme është sesi ky ballafaqim do të marrë formë në nivel institucional. Gjithashtu, si mundet komuniteti ndërkombëtar të institucionalizojë procesin e “arbitrazhit”, për të zgjidhur ato çështje, që megjithëse të pakëndshme, të dyja palët duhet përfundimisht të përballen? Energjia, është aktualisht njëra prej tyre. Tani për tani, BE­ja vazhdon të blejë gaz nga Rusia, edhe pse ka bërë tashmë një përparim të rëndësishëm në strategjinë e saj, për të minimizuar varësinë energjitike në Moskë. Vendimi i BE­së, për të krijuar një union të energjisë, është tashmë një hap drejt “përballjes institucionale”. Si fillim, bashkimi do të konsolidojë marrëdhëniet kontraktuale të shteteve anëtare të BE me Gazpromin, çka në mënyrë të paevitueshme, do të reduktojë të ardhurat e kompanisë ruse nga Evropa, në një kohë që po përjeton që tani humbje të mëdha, si pasojë e rënies së çmimeve të energjisë. Ndërsa intrigat shtohen, në lidhje me përpjekjen e Rusisë për të anashkaluar Ukrainën nëpërmjet Turqisë, Perëndimi do të kundërpërgjigjet me furnizime alternative nga Azerbajxhani, Turkmenistani dhe Irani. Ndërkohë Rusia, ka gjasa të përjetojë kufizime të mprehta në qasjen e tubacionit “Opal” në Gjermani. Perëndimi do të reduktojë varësinë e tij ndaj gazit të lëngshëm, me qëllim pakësimin në masë të madhe, apo duke i dhënë fund krejtësisht varësinë e saj nga gazi rus, brenda dy ose tre viteve të ardhshme.

BE­ja gjithashtu është duke u përgatitur për një përballje informative dhe propagandistike me Rusinë. Ajo tashmë po përpiqet të krijojë një kontrapunkt informativ ndaj rrjetit televiziv “Russia Today”, por më në përgjithësi, një konfrontim në fushat humanitare dhe informative, do të ndryshojë shumë nga ajo e Luftës së parë të Ftohtë. Evropa, nuk do ta paraqesë atë si një garë midis dy mënyrave të jetës, apo të dy vizioneve të ndryshme për të ardhmen, mbi të gjitha sepse Rusia duhet ende të formulojë vizionin e vet e të ardhmes për konsum të brendshëm, dhe të shpjegojë sesi ajo ndryshon nga Perëndimi.

Por ndoshta edhe ky aksion, do të avullojë në një përpjekje banale, për të manipuluar opinionin publik. Gara mes dy sistemeve sociale konkurruese ka përfunduar. Rusia e ka braktisur sistemin sovjetik të ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, të lumturisë universale, barazisë dhe vëllazërisë. Edhe aleatët politikë të Moskës nuk janë më pjesë e “lëvizjes komuniste botërore”, por vetëm shtetet individuale ose partitë politike, si ajo e ekstremit të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar i Marin Lë Pen. Aleanca të tilla nuk janë sistematike, sikurse ishte Traktati i Varshavës, por individuale dhe kryesisht bazohen tek anti­globalizimi apo qëndrimi anti­SHBA, ose edhe euroskepticizmi. Nëse kryeministri hungarez Viktor Orban apo Partia Syriza në Greqi do të kishin humbur pushtetin, është e paqartë sesi këto vende do të përcaktonin marrëdhëniet e tyre me Moskën. Në përballjen aktuale, Perëndimi do të fokusohet në zbatimin e presionit ekonomik në Rusi, apo thënë më thjesht, në asfiksimin e regjimit të presidentit Vladimir Putin. Thelbësore është se kushtet ekonomike sot ndryshojnë rrënjësisht nga ato të Luftës së Parë Ftohtë. Edhe pse Bashkimi Sovjetik u dobësua në masë të madhe nga lufta, ai kishte një ekonomi të vetë­mjaftueshme, që mbështetej pak tek tregjet e huaja. Me çmobilizimin e viteve ‘50, “shkrirjen” e ish­kreut sovjetik Nikita Hrushovit, dhe përpjekjet për të filluar një “revolucion shkencor dhe teknologjik” në vitet ‘70, Bashkimi Sovjetik arriti madje të dëshmojë edhe aftësinë për të ndërtuar potencialin e tijj industriale dhe teknologjik.

Megjithatë, në fillim të Luftës së Dytë të Ftohtë, Rusia ka arritur në thelb të kundërtën: shkatërrimin e bazës së saj industriale, dhe akoma më keq, Ndërsa Bashkimi Sovjetik, mundi të thoshte fjalën e tij në “garën hapësinore” me Shtetet e Bashkuara në vitet ‘60, sot Rusia i merr shumë prej pajisjeve të saj kryesore, duke përfshirë përbërësit thelbësorë për kompleksin e saj ushtarako­industrial, nga Perëndimi. Dhe kjo është pikërisht pika e dobët, ku Perëndimi do ta godasë. Kohëzgjatja dhe zgjidhja përfundimtare e Luftës së Ftohtë aktuale, varet nga ajo sesi, apo nëse, Rusia do t’i përgjigjet kësaj sfide. Nëse Moska nuk do të zgjidhë problemet e saj teknologjike dhe ekonomike, ajo mund të përjetojë jo vetëm shembjen e infrastrukturës së saj industriale e sociale, si dhe të degradojë në një shtet të dështuar brenda 15 viteve të ardhshme, por edhe të humbë potencialin e saj ushtarak për përballjen me Perëndimin.

Ajo kornizë kohore është edhe kohëzgjatja maksimale për këtë Luftës së dytë Ftohtë. Sigurisht, kjo do të varet nga kohëzgjatja e qëndrimit të Putinit në pushtet, dhe nëse Perëndimi mendon se Moska është në të vërtetë mjaft e fortë, për të mbështetur firmosjen e një marrëveshje, të arritur në kushte reciprokisht të pranueshme. Nëse kjo nuk ndodh, presioni do të rritet, duke e shtyrë Rusinë në një gjendje gjithnjë e më të dëshpëruar, nëse ajo nuk mund të përgjigjet në mënyrë të përshtatshme ndaj sfidave të jashtme. Në këtë pikë, Moska do të ketë vetëm dy zgjidhje: dorëzimin e plotë sipas kushteve të fituesit, ose fillimin e luftës, si një përpjekje e fundit e dëshpëruar, që mund të rikonfirmojë dinjitetin kombëtar të Rusisë.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: