Nga: Agron TUFA

Duke parë kriteret e transparencës së vetingut, që duhet të kalojnë gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit (ish), më neverit fakti, se pse nuk kanë përfshirë në këto kritere implikimin (shkallën) e këtij populli, përgjithësisht të errët, si bashkëpunëtorë të diktaturës komuniste.

Këta prokurorë/gjyqtarë/hetues – folje ndihmëse të shtypjes diktatoriale, i kanë duart të zhyera deri në bërryla me gjakun e qytetarëve të pafajshëm. Ata kanë dënuar politikisht, kanë hetuar, survejuar dhe kanë çuar në pushkatim jetë njerëzish anembanë atdheut.

Si ka mundësi që për Platformën e Vetingut kjo nuk përbëka asnjë arsye për t’u ndaluar? Si ka mundësi që mashtrimet, fshehjet, vjedhjet e korruptimet e ndryshme qenkan më gjëmëmëdha se tragjeditë familjare që kanë shkaktuar këta vegla të diktaturës në shoqërinë shqiptare? Pra, të jesh vrasës, qenka ku e ku më lehtë se të jesh hajdut (!).

Thjesht mungesa e një penaliteti të tillë të vetingut allashqiptarçe më neverit dhe po të kisha volinë, do preferoja t’i pështyj në fytyrë për këtë fyerje kombëtarë njerëzore gjithëpopullore. Këtij vetingu i vjen era PAZARE, spastrim Pazaresh të Vjetra për hir të Pazareve të Reja.

Më troç: Ideatorët, Platforma dhe Komisioni i Vetingut ka qenë që në zanafillë e këtej prej brumi enverist, kokë për kokë (bëjeni vetë provën nominalisht), përndryshe nuk mund të ndodhte kurrsesi kjo, që hajduti të ishte më i dënueshëm si shkallë krimi nga sa është një vrasës, gjakpirës.

Kjo më çon ndërmend poezinë e nobelistit Josif Brodskij (Letra mikut romak), kur thotë:
Larg më mirë nga çdo Çezar e çdo tufan.
Pa nguti e frikë që të bën sahanlëpirës.
Gjithë regjentët thua se hajdutët janë?
Po më mirë besa hajdutë, se gjakpirës.

Prandaj vetingu pa kushtin e penalitetit të gjyqtarëve që i shërbyen shtypjes dhe krimeve të komunizmit është hipokrit, i rrezikshëm, i pamjaftueshëm, rrjedhimisht për t’u neveritur e për t’u pështyrë në surrat.

Nga ana tjetër (sepse çdo medalje ka dy anë), kush na garanton se kush ua bëri vetingun anëtarëve të Komisionit të Vetingut? Po atyre që i zgjodhën apo i propozuan? Kush ishte i pari? Kush e kap hallkën e parë të zinxhirit “të shkaqeve dhe pasojave”)? Si mund të pritet transparencë nga një lëmsh i zi katrani?

Ndokush mund të mendojë se më leverdiska mungesa e vetingut. Jo! Lexoni mirë çfarë thashë! Mos u bëni tutkunë! Mendjet e shëndetshme e inteligjente duhet t’i zërë krupa nga ky veting pa pikë morali!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: