Nga: TRITAN KALO *
Si mjek i diplomuar më 30.06.1982 me mesatare 10.0 dhe me “Medalje të Artë”, i diplomuar
në Shqipëri dhe në Francë në lëmin e Sëmundjeve Infektive dhe Tropikale, me eksperiencë të gjerë kombëtare dhe ndërkombëtare në këto fusha shumë të rëndësishme të mjekësisë, i shtroj vetes pyetjen: Kush do të më testojë mua dhe si? Do të më testojnë ata që edhe shqipen e flasin të cunguar, apo që diplomën e mjekësisë e kanë marrë me “shumë vuajtje”, apo që në një “hark kohor të ngjeshur” u bënë specialistë, doktorë shkencash apo profesorë… I keni hipur kalit së prapthi, zyrtarë jo fort të nderuar… Formimi i mjekëve është i përditshëm dhe i shumëplanshëm. Kujdesi për formimin e tij, DUHET filluar që në bankat e universitetit, duke mos i lënë ata korridoreve të spitaleve apo kafeneve, por duke qenë të pranishëm në çdo sekondë të rrugëtimit të tyre profesional. Formimi i tij vijon edhe gjatë stazhit profesional, specializimit dhe në vijim. Përditësimin e njohurive mjeku e përfton në rrafshin personal, nga leximi i kujdesshëm dhe i vazhdueshëm i literaturës, nga observimet klinike dhe diskutimet për rastet apo problemet e shumta, që lindin në përditshmërinë e punës së tij, prania e tij fizike dhe aktive në aktivitete të ndryshme shkencore, shkrimet e tij apo të kolegëve të tij etj., etj… POLITIZIMI i Mjekësisë si dhe i çdo fushe të jetës së vendit është “kanceri që duhet shkulur së pari”, për të vënë në shina të mbara mjekësinë. Në sajë të këtij politizimi, servilizmave dhe mediokriteteve që ai ka ushqyer në këto 24 vite tranzicion, ndodhemi në një stad kur spitalet rajonale, poliklinikat apo edhe shërbimet terciare gëlojnë nga individë që së pari mezi kuptohen në të folurën e vrazhdë të shqipes, por, mbi të gjitha, që me modelin e tyre profesional nuk frymëzojnë askënd tjetër përveç mediokritetit që ata bartin. Punësimi i tyre me lista të ardhura nga zyrat e partive, nëpërmjet nepotizmit shumë të shprehur edhe në mjekësi, si kudo gjetkë te ne, apo kundrejt pagesave nën dorë, kanë bërë të kemi këtë personel që kemi. TESTIMI i tyre është që në startim i dështuar, sepse “hekurat” që ata kanë në shtyllat e punësimit të tyre, tashmë janë formësuar në “shtylla betonarmeje”… ZHVILLIMI paralel i të gjitha fushave të mjekësisë sipas prioriteteve është zëri i tretë pas formimit të mjekëve në bankat e universitetit dhe depolitizimit të mjekësisë, ku ne duhet të ngulmojmë. Jo disa shërbime terciare të kenë në dispozicion dhe teknikat më të fundit, ndërsa disa të tjera të luftojnë edhe për sigurimin e një ampule Prednizolone për mjekimin e të sëmurëve të tyre… FINANCIMI më adekuat i mjekësisë krahas arsimit, është zëri i katërt ku ne duhet të synojmë, për të pasur mjetet e nevojshme në formimin profesional të stafit mjekësor të të gjitha niveleve, për të ofruar një shërbim më cilësor në diagnostikimin dhe mjekimin e të sëmurëve, për të bërë prioritare PARANDALIMIN e shumë prej tyre, për t’u dhënë dinjitetin e duhur bluzave të bardha në nivelin e shpërblimit të mundit dhe djersës së tyre… KONKURRENCA dhe krijimi i hapësirave për të bërë të mundshme një karrierë të suksesshme, për ata mjekë apo infermierë punë dhe shkencëdashës, të cilëve u mohohet kjo mundësi me rregullat e sotme të zgjedhjes apo emërimeve të drejtuesve mjekësorë të të gjitha niveleve. I mençuri dhe punëshumi duhet të dëgjojë dhe suportojë ditë për ditë, fjalët dhe veprimet e shumë të tjerëve mbi të, që janë aty, jo për meritat e njohurive dhe të punës së tyre, POR sepse kanë pasur lidhjet e duhura shoqërore, politike, në mos edhe mbështetjen e një “bashkëpunimi me një organ joprofesional mjekësor = dosjeje të bashkëpunëtorit”… MJEKËSIA jonë nuk shërohet nga plagët e shumta të saj me testime, POR me veprime të përditshme… Gur, gur bëhet muri!

*Autori është mjek i njohur në QSUT. Titulli është i redaksisë

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: