Pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, Policia e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 10.000 eurosh për çdo qytetar që jep informacione lidhur me autorët e vrasjes.

Me anë të një deklarate, Policia e Kosovës bën me dije se është angazhuar rreth zbardhjes së vrasjes se Oliver Ivanoviçit që ndodhi mëngjesin e sotëm në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës.

“Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose- 192, dhe e-mail: [email protected]. Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët, dhe policia do ta ruaj striktë të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit në këta numra telefoni dhe në këtë e-mail adresë, përveçse nëse personat vetë, vullnetarisht deklarohen ndryshe”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Njoftimi i plotë i Policisë:
Rreth orës 08:10 min, në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës, është regjistruar një incident me përdorim armë zjarri, me ç’rast persona deri më tani të panjohur kanë shtënë në drejtim të z. Oliver Ivanovic, i cili fillimisht është plagosur në afërsi të zyrës së tij të punës.

Viktima është dërguar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës për reanimim, ndërsa mjekët kujdestarë kanë konstatuar vdekjen e tij.

Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje ndërsa këqyrja e vendit të ngjarjes është në vazhdim e sipër. Në vendngjarje janë gjetur prova materiale të cilat do të përdoren në procedurën e mëtejme hetimore.

Gjithashtu, rreth orës 09:15min, në rrugën “Vojvode Putnika” në veri të Mitrovicës, është lokalizuar një veturë private e markës “Opel Astra”, pa targa të regjistrimit, të cilës paraprakisht i ishte vënë zjarri, ndërsa Policia dyshon se mund të jetë e lidhur me rastin e vrasjes.

Për të gjitha rrethanat e rastit dhe veprimet e ndërmarra të Policisë është informuar prokurori i Shtetit, i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, i cili ka dalë në vendngjarje.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen sa më parë të këtij rasti dhe sjelljen e personit/ave të dyshuar para organeve të drejtësisë.
(m.a/BalaknWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb