TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka mbrojtur reformën në drejtësi sot duke folur nga foltorja e Kuvendit në përgjigje të deklaratave të Presidentit të Republikës Ilir Meta që e ka cilësuar ‘Ramareformë’.

Ashtu si kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbylljes së procesit të votimit më 30 qershor, Balla deklaroi se reforma në drejtësi veçse zbatohet dhe se kush guxon ta pengojë do të marrë përgjigje.

“Ne ju dëgjojmë me vëmendje dhe patjetër e kemi thënë që ditën e parë të konstituimit të grupeve parlamentare të opozitës, sot edhe një grup tjetër, tre grupe parlamentare që bashkëpunimi me opozitën parlamentare është i rëndësishëm dhe objekti kryesor i këtij bashkëpunimi patjetër që është reforma zgjedhore. Përfshirë këtu diskutimin e hapur për sistemin zgjedhor. Reformë zgjedhore tërësisht e bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR por edhe të Këshillit Europian të fundmajit të këtij viti. Si të tilla dua tua them se PS bashkëpunon me këdo por kushte nuk pranon. E për të dytën, sa i përket reformës në drejtësi, këtë ju këtu, ata në rrugë ta harrojnë, ajo nuk negociohet. Reforma në drejtësi veç se zbatohet dhe këtu mbaron gjithë ky diskutim. Edhe pse e dëgjova sot në sallë emrin e heroit Avni Rustemi, i cili ka disa ditë që rrotullohet atje në varr sepse po ia shpërdorojnë emrin njerëz që s’kanë asnjë lidhje me Avni Rustemi. Patjetër që ky Kuvend sot duhet ta refuzojë këtë dekret të Presidentit aktual të Republikës i cili nuk heziton dhe veçse iu kujton shqiptarëve se është pjesë e një grupi i cili bën gjithçka për të penguar reformën në drejtësi. Edhe kjo përpjekje për të penguar hyrjen në fuqi se gjë tjetër nuk ka në dorë Presidenti. Veçse të pengojë me disa ditë apo javë hyrjen në fuqi të një ligji shumë të rëndësishëm, pjesë e paketës së reformës në drejtësi, i cili u miratua këtu në këtë sallë edhe me votat tuaja e që ne sot duhet t’i japim një përgjigje Presidentit të Republikës që Kuvendi i Shqipërisë është autoritet më i lartë në Shqipëri e që kush guxon do të marrë një përgjigje, e cila e ka vendosur Shqipërinë në të njëjtën linjë me SHBA-në dhe BE. Edhe përpjekjet e këtyre ditëve, nuk të harxhoj kohën sot, do të kemi një seancë të posaçme ditën e hënë për këtë çështje e cila do t’i hapë rrugën një hetimi të plotë, të një shkelje të rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit të Republikës”, deklaroi Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb