NGA KLODIANA HAXHIAJ

Është një prej kryeveprave të letërsisë shqipe dhe pritet të vijë në skenë si një prej shfaqjeve më të mira të teatrit. “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë, vjen me regji të Laert Vasilit dhe interpretimin e Yllka Mujos, Bujar Lakos e Luli Hoxhës, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Shfaqja që pritet të ngjitet në skenë në festat e nëntorit dje mblodhi mediat në një konferencë për shtyp. Drejtori i teatrit “A. Moisiu”, Bashkim Hoxha, u shpreh se pretendimet janë për një shfaqje të mirë, duke pasur parasysh tekstin dhe kastën e aktorëve.

“Do t’i quaj aktorë të Kombëtares këta që do të vënë në skenë ‘Kush e solli Doruntinën’ të Ismail Kadaresë, një nga kryeveprat e letërsisë shqipe. Ajo vjen e dramatizuar nga Laert Vasili, i cili jo vetëm do të bëjë regjinë, por do të luajë edhe një nga rolet kryesore, përkrah aktorëve të teatrit që ju i keni parë tek ‘Elektra’, ku arritën një stad aktrimi të admirueshëm, por edhe në shfaqje të tjera me të cilat kanë fituar zemrën e publikut”, – tha Hoxha.

Në rolin e drejtorit, por edhe të një njeriu që e njeh mirë teatrin, Hoxha vuri në qendër të vëmendjes edhe të ftuarit në teatër.

“Kemi edhe disa të ftuar. Sigurisht që, një kryevepër e letërsisë shqipe është një ndërmarrje e madhe, që nuk mund të vihet në skenë pa disa emra të veçantë të teatrit shqiptar. Kemi këtu Yllka Mujon dhe Bujar Lakon, që dua t’i falënderoj që pranuan ftesën për të qenë pjesë të kësaj sfide, e po ashtu edhe Luli Hoxhën”.

Regjisori Laert Vasili, i cili më herët ka premtuar një koncept regjisorial krejt tjetër dhe një risi mbi mënyrën se si ai e sheh këtë pjesë, dje u tregua krejt fjalëpak. “Ka qenë një udhëtim e një ndërmarrje e gjatë për të sjellë Doruntinën. Shfaqja do jetë e bazuar në dy kolona të teatrit shqiptar: Bujar Lako dhe Yllka Mujo. Pa ta, ne të rinjtë nuk do ishim këtu sot. Ka ende njerëz që nuk kanë frikë përballë sfidave, siç është Bashkim Hoxha. Në fund të nëntorit, do e shohim ‘Kush e solli Doruntinën'”, – tha Vasili, duke falënderuar edhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen.

Nga ana e saj, aktorja e njohur Yllka Mujo, u shpreh se rikthehet në teatrin e Durrësit falë një bashkëpunimi të mirë me Driada Dervishin dhe falë faktit se e ka pëlqyer vënien e Elektrës. “Nën impresionet e bashkëpunimit me Driada Dervishin dhe këtë teatër, por edhe për faktin se e çmoj dhe më ka pëlqyer vënia në skenë e Elektrës së Vasilit, unë rikthehem në këtë teatër dhe marr pjesë te Doruntina”. Regjisori Laert Vasili, përveç aktorëve Yllka Mujo dhe Bujar Lako, ka përzgjedhur edhe aktorët e trupës së teatrit durrsak, Gjergj Doçi, Mimoza Marjanaku, Eralda Çaushi, Xheni Fama, Amos Zaharia etj.

ROMANI I KADARESË
“Kush e solli Doruntinën” është një roman i shkruajtur nga Ismail Kadare (Shtëpia botuese Onufri). Prej shekujsh ballkanasit bëjnë pyetjen; Kush e solli Doruntinën? Të gjithë e duan për vete këtë femër dhe vëllain e saj: grekët, sllavët, shqiptarët. Romani ka në qendër një personazh që ringjallet. Ndoshta nuk është aq e rëndësishme se ç’mundim a mision e kthen atë në këtë botë. Më e rëndësishme është se si u ringjall ai, me ç’fuqi shpirtërore erdhi prej andej nga nuk ka kthim, duke u barazuar me një Krisht? Doruntinën e solli fjala e dhënë, thotë kapiteni Stres që kryeson hetimet. Doruntinën e solli besa shqiptare, nxitojnë moralistët. Doruntinën e solli pengu i inçestit të pakryer, thonë psiko-kritikët. Doruntinën e solli një aventurier dashurie, një “dikush” i rastit, pohon njëri prej priftërinjve. Kadareja ekspozoi një nënshtrat krejt të mospërfillur të kulturës kombëtare.

Legjenda e Doruntinës nuk ishte “punë legjendash”, por konkluzion i një epoke historike. Ajo shpallte lidhjet e lashta të kulturës së popullit tonë me ato të vendeve të qytetëruara të kontinentit. Në më pak se 50 vargje të parët e shqiptarëve jepnin e merrnin me një botë të tërë, bënin krushqi gjer në Bohemi, lidhnin aleanca me baronë e fisnikë të afërt e të largët, lëviznin të sigurt në gjithë hapësirën kontinentale. Ata ishin pjesë integrale e kësaj bote.

Miqësitë e tyre gjendeshin “nëntë male kaptuarë”. Të shkoje në viset gjermane apo dhe më tej për ta ishte njësoj si të thoshje: “po shkoj në krushqi”. Në Shqipërinë e mbyllur, pa një mik, pa një aleancë, pa një portë të hapur, të fundit të viteve ’70, kjo ekspoze mund të ngjallte zemërime e pakënaqësi, mund të shkaktonte inate e mëri. Novela predikonte hapjen, kur politikanët kërkonin mbylljen. Autori u paraqiste si shembull humanizmi bashkatdhetarëve të vet lashtësinë e tyre, kur në vend zotëronte një pikëpamje çuditërisht e ngulitur, sipas së cilës vlerat e vërteta ishin krijuar në gjysmëshekullin e fundit. Mesazhi i Kostandinit është thirrja për një rilindje morale.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: