FIER- Gruaja që shihni në foto është Anna nga Mallakastra, 31-vjeçarja e arrestuar nga policia e Fierit si autore e një grabitje karburanti dhe dy të tjerave të mbetura në tentativë në qytetin e Fierit.
Ndonëse pak e çuditshme që veprime të tilla të kryhen nga një grua, “BalkanWeb” ka mundur të mësojë detaje të reja mbi jetën e grabitëses “sexy”. Siç raporton gazetari Ervis Kuçi ajo është e martuar në Fier, ndërsa bashkëshorti punon prej vitesh në emigrim. “BalkanWeb” mëson gjithashtu se grabitësja ka ndryshuar emrin nga Jonida në Anna rreth vitit 2014-të.
Nuk dihet ende nëse ishte vetë Anna ideatorja e të gjithë skemës së grabitjes, apo kushëriri i saj 22 vjeçar i shpallur në kërkim nga policia e Fierit, por një gjë është e sigurt, grabitësja nga Mallakastra vepronte me gjakftohtësi, referuar edhe tre rasteve, një i finalizuar në grabitje dhe dy të tjera të mbetura në tentativë.
Siç u sqarua edhe nga policia, ajo vishte dorezat e maskohej në mbrëmje dhe nisej të gjente prenë e radhës. Në një karburant në Levan ka mundur të grabisë 300 mijë lekë, ndërsa në dy raste të tjera tentativa i ka dështuar. Policia nuk ka dokumentuar ende ngjarje të tjera ku mund të jetë përfshirë Anna, ndërsa pritet që me shumë vlerë të jetë edhe dëshmia e saj para bluve të Fierit.
NJOFTIMI I POLICISE
Policia e Fierit zbardh dhe dokumenton vjedhjen e 1 karburanti dhe tentativën për vjedhje të 2 karburanteve të tjerë.
Ndalohet autorja, identifikohet dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i saj.
Sekuestrohet arma me të cilën autorët nën kërcënimin e saj kryenin vjedhjet.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve kundër pronës dhe pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, falë punës operative e hetimore të mirëorganizuar, bënë të mundur zbardhjen e tre ngjarjeve të ndodhura këtë muaj në Qarkun e Fierit ku dy persona nën kërcënimin e armës, gjatë orëve të vona të natës shkonin për të vjedhur pika të ndryshme karburantesh.
Nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, u ndalua një prej autorëve të dyshuar, shtetasja:
•Anna Malaj, 31 vjeçe, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër.
Gjithashtu u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe po punohet për kapjen e shtetasit:
•E.G, 22 vjeç, banues në fshatin Belinë, Patos.
Të dy këta shtetas( Kushërinjë), nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.
Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.
Në datën 15.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
• Automjeti me të cilën shkonin në vendngjarje.
• 1 armë gjahu teke dhe 6 fishekë.
• 1 palë doreza dhe 4 targa mjeti të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 140, 22, 25, dhe 278 të Kodit Penal.
(BalkanWeb)