Pas eksperiencës dhe punës me emra të mëdhenj të produksionit amerikan të muzikës, këngëtarja Elvana Gjata është kthyer në Tiranë për të kënduar sot në mbrëmje në një nga hotelet me emër të kryeqytetit.

Artistja ka përgatitur gjithçka për këtë koncert intim, pikërisht në ditëlindjen e saj të 31-të. Sipas organizatorëve, gjatë koncertit do të mbështetet në performancat e saj nga kantautori Pirro Çako.

Ftesat tashmë janë shpërndarë për vetëm 120 të ftuar, ku pritet që të shfaqet në krah të saj, i fejuari i artistes, një biznesmen i njohur në Tiranë. Elvana ka punuar këto kohë për interpretimin “live” të krijimeve të reja, të cilat do të jenë ekskluzive për të ftuarit specialë të kësaj mbrëmjeje “high class” dhe më pas do shfaqen në një televizion.

Rikthimi në Tiranë pak ditë më parë dhe sinjali i dhënë nga një studio muzikore, ishte dyshimi për projektin e ri të Elvana Gjatës, jo më me një këngë ndërkombëtare, por me një koncert të gjallë në Tiranë, shkruan Panorama Plus.

Megjithëse askund dhe asnjëherë nuk i prezanton projektet e saj të reja para se t’i publikojë ato, këtë herë është mësuar më herët se Elvana po përgatitet për këtë koncert recital në Tiranë. Për mbrëmjen e madhe surprizë, të ftuarit do të jenë të përzgjedhur dhe po ashtu, edhe prania e mediave në koncert do të jetë selektive.

Në mbrëmje, Elvana do të prezantojë ekskluzivisht edhe këngën e saj të re në gjuhën shqipe, në bashkëpunim me Pirro Çakon. Para pak ditësh Elvana postoi në “Instagramin” me lokacionin Tiranë, duke lënë të nënkuptohej se ishte duke punuar për koncertin e saj surprizë.

ELVANA, SI E ZËVENDËSOI FLORI MUMAJESIN ME PIRRO ÇAKON
Pas projekteve, klipeve dhe bashkëpunimeve të ndryshme në muzikën ndërkombëtare, Elvana Gjata vendosi të rikthehej në Shqipëri vetëm pak kohë më parë për të sjellë surprizën e papritur për fansat e saj. Pas aludimeve, më në fund u konfirmua se këngëtarja do të mbajë këtë koncert recital në një nga hotelet e njohura të Tiranës, pikërisht me bashkëpunëtor një emër të njohur të muzikës. Për këtë natë speciale, Elvana Gjata ka zgjedhur kantautorin Pirro Çako, i cili është artisti i parë shqiptar që Elvana ndan një natë koncerti, pas bashkëpunëtorit prej vitesh, Flori Mumajesit. Mesa duket, puna për këtë recital me Pirro Çakon ka filluar para pak kohësh, edhe pse është mbajtur sekret nga artistja. Jo më kot kantautori Çako u pa në koncertin që motra e Elvana Gjatës, Migena, mbajti në Tiranë.

Ai ishte një nga artistët që ra në sy në publikun e sallës, për të ndjekur koncertin e muzikës operistike të motrës së Elvanës. Ndërkohë, gjatë ditë së djeshme, kompozitori i njohur Darko Dimitrov postoi një video nga studioja muzikore në Shkup, ndërsa ishte duke punuar për këngën e re të Pirro Çakos. “My bro @pirrocako @darkodimitrov working on new songs for one great artist”, shkruante Dimitrov poshtë videos në “Instagram”, ku shfaqej Pirro.

Kaq u desh dhe fansat ngritën pyetjen nëse ishte kjo kënga e re e Pirros në duet me Elvana Gjatën, që do të këndojë sot në mbrëmje në koncertin recital në Tiranë? Këtë presim ta shohim, ndërkohë që për Pirron ky është një rikthim pas një periudhe pauze në muzikë.

ELVANA DHE MEGA SURPRIZA E SAJ, A DO TË JETË KJO NATA KU DO NA PREZANTOJË TË FEJUARIN BIZNESMEN?

Këngëtarja Elvana Gjata u ka munguar fansave të saj, duke qenë shumë pak aktive në rrjetet sociale. Prej kohësh ajo u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku po realizonte projektet e reja muzikore. Deri tani Elvana Gjata ka lançuar dy këngë dhe duket se është gati për projektet e reja, të cilat do i prezantojë gjatë koncertit në mbrëmje. Por, a do të jetë kjo nata, kur ajo, në ditën e ditëlindjes, do u bëjë mega surprizë të ftuarve, duke u prezantuar të fejuarin e saj?

Që prej fundit të nëntorit 2017, Elvana u kishte munguar fansave, derisa papritur u shfaq me një foto nga Hollywood, ku ishte në shoqërinë e një mashkulli simpatik. Ai ishte dhe personi që kishte realizuar foton, pikërisht fotografi i njohur King Vuddha, i cili ka shkrepur një set fotosh me Elvanën, që i paraprinë projektit të saj të ri muzikor. Por kjo nuk ishte arritja e vetme e Elvanës për vitin 2017-të. Miq të afërm folën se ajo u fejua në privatësi me të dashurin biznesmen nga Tirana.

Flitet, se artistja ka zyrtarizuar lidhjen e saj dyvjeçare në fshehtësi me një djalë të njohur në Tiranë për jetën e tij të shtrenjtë që bën dhe për biznesin e tij, pasi ka në pronësi një hotel të njohur. Lidhja e tyre është bërë dhe familjare tashmë, dhe pse pa ndonjë ceremoni, Elvana konsiderohet si nusja në familjen e tij, ndërkohë që 120 të ftuarit e koncertit recital sot, do të jenë dëshmitarë të momentit kur ajo ta përshëndesë apo prezantojë gjatë mbrëmjes. Ndërkaq, Elvana është në momentet më të mira të jetës, duke shijuar paralelisht dhe dashurinë, dhe karrierën.

Ajo i gëzohet lidhjes me udhëtime të shumta dhe shpenzime marramendëse, sepse partneri i saj nuk kursen asgjë për të plotësuar këngëtaren në çdo aspekt. Dhe kështu, Elvanës nuk i mungon asnjë gjë për të jetuar si në ëndërr. Ishte pikërisht partneri i saj, i cili investoi në biznesin e fustaneve “Altar”, që shumë shpejt këngëtarja e shiti. Ndërkohë, është ai që shpenzon shuma të mëdha parash për fillimin e karrierës së Elvanës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kujtojmë, që ajo festoi një 30-vjetor përrallor vitin e kaluar, me shpenzime që kapën 20 mijë euro, vetëm për udhë- timet e fundjavës.
Burimi:http://www.panorama.com.al/panoramaplus/elvana-gjata-sonte-mund-te-prezantoje-per-here-te-pare-te-fejuarin-biznesmen/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: