TIRANE- Për Elvis Gaçajn, 40­vjeçari që mbeti i plagosur në makinën ku u vranë gabimisht dy persona të tjerë, atentati i së enjtes nuk është i pari që i bëhet. Në dy vjet ai u ka shpëtuar edhe dy atentateve të tjera, por ndryshe nga ai i dy ditëve më parë, sulmet e mëparshme për ta eliminuar ishin kryer me eksploziv.

Në të parin u plagos lehtë nga shpërthimi i një sasie tritoli në makinë. Atentati i dytë mbeti në tentativë, pasi lënda plasëse nuk u realizua. Ndërsa mbrëmjen e së enjtes autorët e provuan me armë zjarri.

Madje me dy të tilla, një automatik e një pistoletë. Por edhe këtë radhë dështuan. Plumbat e nisur për Gaçajn i morën jetën të dashurës së tij dhe 22­vjeçarit që punonte për të, shkruan “Panorama”.

Ai vetë shpëtoi me dy plagë të lehta në shpatull e në dorë, ndonëse autorët i kanë shkrepur armët plot 29 herë. Burimet thanë se ngritja e pistave të hetimit ka qenë deri tani puna më e lehtë për Policinë, nisur nga precedentët e shumtë që ai ka.

Por vështirësia qëndron tek identifikimi i atentatorëve të mundshëm, apo i atyre që kanë porositur ngjarjen. Grupi hetimor ka zbuluar se Gaçaj nuk ka probleme me një apo me dy persona, por me shumë. Kjo e bën edhe më të vështirë zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Nuk dihet ende nëse atentati i së enjtes është kryer për hakmarrjen e një vrasjeje që ai ka kryer në vitin 1992. Të një plagosjeje të kryer në vitin 2008. Apo të prishjes së pazareve të drogës me persona të ndryshëm.

Megjithatë, Policia ka shoqëruar disa persona si të dyshuar të mundshëm për atentatin, edhe pse ka përfunduar duke i lënë të lirë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: