“Nuit et Jour” ka botuar, me 12 korrik të 1945, në faqen n°8, një shkrim në lidhje me suksesin e Gjon Milit në Hollywood, fotografit shqiptaro-amerikan me famë botërore, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Të çudisësh Hollywood-in nuk është një performancë disi banale. Në vendin e superlativës, nuk është e lehtë të emocionosh ose të befasosh dhe duhet një lloj dhuratë qiellore për ta bërë një amerikan të lëshojë një “oh!” që shpreh habi.
Duke përdorur një proces që na duket relativisht i thjeshtë, Gjon Mili arriti në këtë rezultat. Duke publikuar në një revistë amerikane fotot që ne riprodhojmë këtu, ai provokoi në qarqet kinematografike të Hollywood-it reagime shumë të gjalla kurioziteti. Si u realizuan këto foto ? Gjon Mili, i cili në të njëjtën kohë është inxhinier dhe fotograf, thjesht përdori “flashin – blicin”, që është një shpërthim drite i çastit, me një shpejtësi jashtëzakonisht të shpejtë. Një sistem i shpikjes së tij shkakton hapjen e qepenës së aparatit të tij sa herë që shfaqet një dritë, gjë që i lejon atij të ndajë në një sasi të madhe lëvizjesh një gjest që mezi zgjat një sekondë.
Për ta bërë demonstrimin e procesit të tij më spektakolar, Gjon Mili u kërkoi yjeve më të mëdhenj të Hollywood-it që të pozonin për të dhe zbërthimi i çuditshëm i lëvizjeve që ata bënë para aparatit të tij na lejon të ndjekim në një mënyrë më të vëmendshme sesa në kinema larminë e shprehjeve që një fytyrë mund të marrë në një kohë e cila matet në të dhjetat e sekondës.
Ky proces mund të kryejë shërbime të mëdha për kërcimtarët që të studiojnë lëvizjet, dhe për krijuesit e filmave vizatimorë.