Daniela Shirka është gjyqtarja që vendosi sekuestrimin e aksioneve në një bankë në Tiranë të bashkëshortes së deputetit të PS­-së, Aflred Peza.

Vendimi për sekuestro preventive ndaj aksioneve, në masën 1 %, me vlerë rreth 113 milionë lekë të reja, të gruas së deputetit Alfred Peza u ‘vulos’ dje, pas kërkesës së Prokurorisë për Krime të Rënda.

Një ndër çështjet më të rëndësishme që Shirka ka drejtuar në këtë gjykatë ka qenë edhe ajo e ballafaqimit mes Emiljano Shullazit dhe biznesmenit Ylvi Beqaj, siç bën me dije për BalkanWeb, gazetarja Klodiana Lala.

Si nisi hetimi
Procedimi penal për këto vepra penale ka nisur kryesisht nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ka si objekt hetimin e pasurive të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Alfred Peza, bashkëshortja e të cilit, shtetësja Mirela Ndini, ka blerë vlerën e aksioneve në masën 1%, pranë nje banke ne Tirane, në vlerën e 113.000.000 (njëqind e trembëdhjetë milionë) lekë, më datë 17/03/2015.

Nga hetimi i zhvilluar në lidhje me këtë procedim penal, rezulton se shtetasi Alfred Peza dhe bashkëshortja e tij, Mirela Ndini, posedojnë pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe likujditete, të cilat janë tjetërsuar, duke kryer blerjen e masës prej 1% të aksioneve.

Në funksion të hetimit të deritanishëm janë krijuar dyshime të arsyeshme se bashkëshortët Alfred Peza dhe Mirela Ndini kanë krijuar dhe shtuar depozita bankare me të ardhura të pambuluara dhe të paevidentuara në rregjistrat publikë, gjë e cila përbën shkak për ekzistencën e një dyshimi të bazuar në lidhje me ligjshmërinë e tyre.

Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore rezulton se, pavarësisht se aksionet në Bankë janë blerë nga shtetasja Mirela Ndini, vlera financiare është realizuar në bazë të kontributit financiar të të dy bashkëshortëve.

Nga analiza financiare, e kryer gjatë hetimit, është konstatuar se të ardhurat neto familjare të bashkëshortëve Peza­Ndini ndër vite, duke zbritur shpenzimet, është rreth 51 milionë lekë të reja. Ndërsa vlera e aseteve në pronësi të tyre (pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, përfshirë llogaritë bankare) është në vlerën e rreth 135 milionë lekëve
të reja.

Pra, rezulton se bashkëshortët Peza-­Ndini kanë një pasuri prej rreth 84 milionë lekë të reja, të cilën nuk e justifikojnë me burime financiare të njohura.

Në bazë të të dhënave të deritanishme, Prokuroria vlerëson se ekziston rreziku i tjetërsimit të vlerës prej 1% të aksioneve të Bankës, nëpërmjet kalimit të pronësisë, pasi procedura e ndjekur në rastin konkret mund të kryhet thjesht mbi bazën e vullnetit dhe nuk ka rregulla apo procedurë ligjore të përcaktuar nga Banka ne fjale apo Banka e Shqipërisë për tjetërsimin e aksioneve.

Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të detyrimit ligjor, ka përcjellë pranë Prokurorisë për Krime të Rënda referimin për hetim pasuror, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.

Në bazë të këtij referimi, si struktura kompetente për këto raste, Prokuroria për Krime të Rënda, regjistroi procedimin penal per hetim pasuror, në bazë të ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” (Antimafia).

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi vendosjen e sekuestros ndaj aksioneve të regjistruara në emër të shtetases Mirela Ndini, kërkesë e cila u pranua nga ana e Gjykatës për Krime të Rënda.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: