Ish-polici Santiago Malko, i cili u ekzekutua mbrëmjen e kaluar me breshëri plumbash në kryeqytet, kishte edhe bashkëshorten e tij pjesë të Policisë së Shtetit. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se 26-vjeçari Malko ishte i martuar me ish-efektiven e Forcave “Shqiponja”, Dea Ricku.
Kjo e fundit ka punuar për pak kohë si police e rendit në Komisariatin e Kamzës dhe më pas, në janar të vitit 2016, është bërë pjesë e “Shqiponja-ve”, duke qëndruar për një vit. Një vit më vonë, në 2017, Dea Ricku ka vendosur të shkëputet nga policia me dëshirën e saj.
Nuk dihen arsyet e vërteta të largimit të saj nga policia, por ky vendim është marrë pikërisht në vitin kur bashkëshorti i saj ka nisur problemet me drejtësinë, pas konfliktit me vëllezërit Lashi.
Në kohën që shërbeu në Policinë e Shtetit, Dea Ricku bëri bujë në media, për shkak të bukurisë së saj. Në një intervistë mediatike në atë kohë, Dea shprehej se bukuria e saj nuk i kishte sjellë asnjë problem dhe se nuk ishte ndjerë e provokuar. “Unë, thoshte Dea, kam një qëndrim timin, cakun e të cilit nuk lejoj ta kalojë askush!”.
(d.ç./BalkanWeb)