Ana Maria Bura është gruaja të cilës ekipi negociator serb i trembet më shumë gjatë negociatave me Prishtinën në Bruksel. Ajo është këshilltarja speciale për dialog e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini dhe po i krijon probleme të mëdha palës serbe. Kështu të paktën po shprehen në kabinetin e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç.

Ana Maria Bura, kuadër i Ministrisë së Punëve të jashtme të Greqisë, por me kombësi shqiptare është duke ngadalësuar procesin e formimit të Asociacionit të komunave serbe, që për palën serbe është shumë i rëndësishëm, shkruan Novosti, transmeton lajmi.net.

Sipas kësaj të përditshmeje serbe, gjatë një darke pune e cila së fundmi është organizuar nga Mogherini në Bruksel për kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Vuçiç kishte deklaruar hapur se Beogradi “është mjaft i zhgënjyer me angazhimin e Buras” në dialogun me Prishtinën.

Por edhe në zyrën për Kosovën, jo zyrtarisht është thënë se ajo haptazi qëndron në anën e shqiptarëve, dhe se për këtë po ia ruajnë shpinën britanikët dhe gjermanët. Sipas medieve serbe, Bura ndër të tjera ishte e angazhuar që në letër të vinte pikat kyçe të draft kornizës së bisedimeve të BE-së për kapitullin e 35-të, që i referohet Kosovës.

Në këtë dokument, të cilin Beogradi e ka quajtur të tmerrshëm dhe me të cilin në mënyrë indirekte kërkohet njohja e Kosovës, Bura kishte shkruar pikat kyçe duke u konsultuar drejtpërdrejt me Britaninë dhe Gjermaninë.

Në mënyrë të veçantë Londra dhe Berlini, insistojnë se i gjithë përparimi i Serbisë drejt anëtarësimit në BE të jetë drejtpërdrejt i kushtëzuar me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, dhe kështu ky kusht është instaluar në disa vende në draft kornizën negociuese për “kapitullin e Kosovës”.

Pavarësisht numrit të pengesave, delegacioni serb është duke u përpjekur të ndryshojë këtë vendim të keq, dhe që situata të jetë shumë më e favorshme për Serbinë. Ana Maria Bura ka punuar në zyrën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, derisa ende ishte në atë vend Katherin Ashton. Ajo ka studiuar në Athinë dhe me kombësi është shqiptare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb