TIRANË
Zbardhen detaje të reja nga arrestimi i vrasësve të biznesmenit 66-vjeçar Behar Sofia.
Mes të arrestuarve është edhe Xhuljano Visha, i cili kishte luajtur rolin e ndërmjetësit në vrasje. Visha kishte telefonuar autorin e krimit, Ernejt Shyti, duke i premtuar shumën prej 50 mijë eurosh për vrasjen e Sofisë.
Por, kush është Xhuljano Visha?
Ai rezulton një emër i njohur për policinë, pasi është dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Por emri i tij lidhet me një tjetër krim të ndodhur disa vite më parë. Xhuljano Visha është djali i xhaxhait të Nazime Vishës, kjo e fundit vrau abuzuesin e saj.
Nazime Visha, e lindur në Zall Bastar më 3 mars 1994, e qëlloi me breshëri automatike Fiqiri Muçën, mesnatën e 13 gushtit të vitit 2013. Ajo e vrau babanë e 5 fëmijëve 4 vjet pas lidhjes intime që kishte me të. Policia gjeti 29 gëzhoja automatiku në vendin e ngjarjes. Ajo kishte zbrazur ndaj burrit që e kishte përdhunuar prej moshës 14 –vjeçare plot një breshëri kallashnikovi. Nazime Visha u dënua me 10 vjet burg. Kreu 4 dënimin prej 4 vjetësh dhe u fal nga Presidenti i Republikës, me propozim të Ministrit të Drejtësisë.
(BalkanWeb)