TIRANE– Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e sotme që u regjistrua pranë tregut elektrik, ku një dyqani rrobash iu vu lëndë eksploziv, por që fatmirësisht nuk shpërtheu. Nga hetimet paraprake, policia ka dyshime se tritoli është vendosur për kërcënim. “BalkanWeb” mëson se 5 muaj më parë, pronares së dyqanit, Bruneta Aliajt i ishte vendosur eksploziv në makinë, ndërkohë që ajo është shoqëruar në polici për t’u marrë në pyetje rreth ngjarjes.

Ngjarja në fjalë ndodhi më 1 maj të këtij viti pras pas 9-katësheve ku ishte parkuar makina tip “Smart”. Burimet thanë se persona ende të paidentifikuar kishin hedhur poshtë makinës, në pjesën e pasme të saj një sasi prej 100 gram tritol, që ishte aktivizuar me fitil zjarrpërcjellës. Por pas dëshmisë së dhënë nga tregtarja, ka shoqëruar në cilësinë e të dyshuarit ish-bashkëshortin e saj.

Pronarja e mjetit “Smart” që u dëmtua nga shpërthimi i 100 gram tritol, deklaroi në atë kohë se nuk kishte probleme me njeri. Arsyeja e shoqërimit të Edmond Meços ka qenë pikërisht dëshmia e tregtares, e cila tha se ishin mosmarrëveshjet ato që e çuan drejt divorcit.

Prej vitesh gruaja jeton e vetme në një pallat pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në Tiranë, ku ndodhi edhe shpërthimi. 55-vjeçarja është nënë e dy fëmijëve, një vajze që është e martuar dhe e një djali 27-vjeçar që jeton në Britaninë e Madhe prej disa vitesh. Burimet thanë se ish-burri kishte mohuar të ketë lidhje me ngjarjen dhe nuk kishte arsye përse të sulmonte ish-bashkëshorten, në këtë formë apo në ndonjë formë tjetër.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: