Deputetja e opozitës, Rudina Hajdari, sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, teksa tha nga foltorja e Kuvendit se ai është vetëm lakuriq para shqiptarëve. Hajdari tha se Rama nuk ka sot kë të blejë e kë të shesë më, dhe asnjë alibi që ta mbrojë.

Ndër të tjera, deputetja riktheu vëmendjen edhe te ngjarja e rëndë që tronditi vendin pak ditë më parë, ku u plagos në atentat prokurori Arjan Ndoji dhe dy të tjerë, teksa pyeti se “Kush e ka fajin sot që një prokurori i bëhet atentat me kallashnikov? Kush e ka fajin sot që një gjyqtare vritet me armë nga burri i vet? Kush e ka fajin sot që krimet në familje janë shtuar si kurrë më parë?”.

“Zoti kryeministër, dil njëherë dhe mbaj përgjegjësi për një nga këto pika. Sot nuk ke të blesh dhe shesësh më, ke vetëm veten tënde nuk ke asnjë alibi që të mbrojë. Sot je vetëm lakuriq para shqiptarëve pa asnjë shpresë dhe pa shënuar asnjë arritje në 6 vitet e fundit, ke kabinetin më të dobët me performancë të dobët që nuk ka bërë asgjë. Ke një vend të varfër, ku 30 % e popullsisë nuk shtyjnë dot muajin, kurse shtresa më e vyer e shoqërisë që po largohet”, tha ajo.

Në fund, ka dalë me thirrje për shqiptaret dhe të rinjtë. “Ca presim ne, një shprehje e madhe thotë asnjë nuk është aq i pasur që të blejë ta kaluarën. Ka vetëm një zgjidhje. Shqiptarët, të rinjtë e studentët duhet të luftojnë për ndryshimin e sistemit, se nesër vota e tyre do përfundojë në koshin e atyre që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Unë jam kundër këtij sistemi, poshtë ky sistem që po vret demokracinë në vend”-, deklaroi Hajdari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb