TIRANE– Heqja e mandateve për deputetët e PD-së e LSI-së, respektivisht Dashamir Tahiri dhe Shkëlqim Selami, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit pritet të rrisë numrin e votave të maxhorancës, raporton “BalkanWeb”.
Nga ky vendim pritet që numri i deputetëve që votojnë për maxhorancën të shkojë në 89, për shkak se mandati i Dashamir Tahirit do t’i kalojë PDIU-së pasi ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën siglën e kësaj partie pavarësisht se kur PDIU vendosi të kalojë me maxhorancën qeverisëse, ai vijoi të qëndronte në koalicionin opozitar, duke iu bashkuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Heqja e mandatit të tij nga KQZ, pas kërkesës së Prokurorisë do t’i japë tani mundësi kandidatit të listës së PDIU-së në qarkun e Vlorës që të jetë pjesë e Kuvendit.
Konkretisht emri që pritet të zëvendësojë Tahirin, bazuar në listën e zgjedhjeve të 2013-ës të PDIU-së, është Edmond Zeno. Në këtë mënyrë, një deputet i ikën Partisë Demokratike dhe i shtohet koalicionit qeverisës.
Pas vendimit sot të KQZ-së, deputeti i LSI­-së Shkëlqim Selami, do të zëvendësohet nga Flamur Çelaj ose Katina Gogo, që vijojnë listën e kandidatëve për qarkun e Vlorës për këtë parti. Por gjithçka varet se si do të respektohet kuota gjinore nga LSI.
Tashmë konfigurimi i votat e të shumicës në Kuvend është: PS 60 deputetë, PDIU bëhet me 6 deputetë, LSI 20 deputetë, PDK 1 deputet dhe deputetët e pavarur por që votojnë gjithmonë për mazhorancën Tom Doshi dhe Armando Prenga.
Po ashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi. Tashmë pas shpalljes së pavlefshme të mandatit të tij, Kavaja shkon në zgjedhje të parakohshme, data e të cilave do të miratohet me dekret nga presidenti Bujar Nishani, i cili ka 30 ditë kohë nga momenti i njoftimit zyrtar.


(ed.me/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb