Që nga mëngjesi u raportua se katër burrat e kthyer nga Siria mbrëmë në Kosovë, me urdhër të Prokurorisë Speciale, u ndaluan për 48 orë. Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi përmes një konference të jashtëzakonshme për media tha se arrestimi i tyre u bë për shkak të dyshimit se kanë marrë pjesë në luftime në kuadër të grupit terrorist ISIS.

Ndaj katër kosovarëve që dyshohet se ishin me rrezikshmëri të lartë menjëherë hyri në fuqi urdhër-arresti. Prokurori Special Sylë Hoxha po në këtë konferencë tha se ndaj këtyre katër personave ka hyrë në fuqi urdhër arresti. “Ndaj këtyre personave ka qenë në fuqi urdhër arresti. Në momentin që këta ndalohen nga policia, sillen në Prokurori”, ka thënë Sylë Hoxha.

Por, as Hoxha e as Lumezi nuk dhanë detaje se kush janë këta persona. Gazeta Express përmes shumë burimeve brenda organeve të hetuesisë ka arritur që të mësojë se kush janë kosovarët që luftuan një kohë në zonat e konfliktit në Siri për t’u kthyer mbrëmë në Kosovë. “Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci…janë katër burrat që luftuan në Siri e tash ndodhen në prangat e policië”, tha ky burim.

  • foto galeri

Arrestimin e tyre e ka konfirmuar edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. “Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha ai. E për personat që luftojnë në Siri, para disa vitesh shteti ynë ka hartuar një ligj me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Lajmi për kthimin e 110 personave nga Siria në Kosovë ka bërë bujë mediatike në gjithë botën, e kjo u arrit me ndihëm e Amerikës. Bëhet fjalë për 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë (përfshirë 9 fëmijë pa prindër). Por, në Siri vazhdojnë të qëndrojnë edhe dhjetëra kosovarë. Janë 30 luftëtarë 49 gra dhe 8 fëmijë që gjenden ende në zonat e konfliktit. Në vazhdim pritet që edhe ata të kthehen në Kosovë.

Sidoqoftë, kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga frocat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Ndërsa, ata po qëndrojnë në një qendër të azilkërkuesve në Vrandioll ku forca të shumta policore duke përfshirë njësitet speciale janë duke mbajtur të rrethuar këtë qendër e mbushur me gra dhe fëmijët e kthyer nga Siria.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb