TIRANE – Lista e kandidatëve për kryetarë bashkish, përveç emrave të rinj, na paraqet dhe emra që garojnë për mandatin e tretë. Katër janë kandidatët aktualë që kërkojnë mandatin e tretë, një i djathtë dhe tre të majtë. Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, kërkon mandatin e tretë të tij në këtë bashki. Ai do të ketë përballë Safet Gjicin, një emër që për herë të parë garon për një post publik, aktualisht prefekt i Kukësit. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, kërkon mandatin e tretë të tij, ndërsa përballë ka Grida Dumën, e cila do t’ua kërkojë për herë të parë votën durrsakëve në emër të Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathtë. Një tjetër kandidat, Qazim Sejdini, kërkon mandatin e tretë të tij në krye të Bashkisë së Elbasanit.


Ai do të ketë përballë Ardian Turkun, deputetin e PD-së, i cili ka mbajtur një mandat si kryetar i Bashkisë së Elbasanit, në vitet 2003¬2007. Viktor Tusha, kryetari aktual i Bashkisë së Lezhës, hyn në këto zgjedhje për një mandat të tretë. Ai do të ketë përballë Fran Frrokajn e Partisë Demokratike, i cili garon për herë të parë. Por, kampioni në këto zgjedhje është kryetari i Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili kërkon të rizgjidhet në krye të kësaj Bashkie për herë të katërt. Duket se Zotkaj i ka shpëtuar “fshesës” që Kryeministri Rama bëri për ata kryebashkiakë që kishin tri mandate dhe kërkonin të katërtin, siç ishin Fadil Nasufi i Beratit, Shpëtim Gjika i Vlorës, Baftjar Zeqo i Fierit dhe Flamur Bime i Gjirokastrës. Por, lista e kandidatëve për kryetar bashkie përmban dhe një fenomen tjetër, paksa të fshehur për “senatorët” e pushtetit vendor, citon panorama.
Ajo risjell emra që kanë mbajtur nga dy dhe tri mandate, por që në zgjedhjet e kaluara të 2011 kishin humbur garën. Arif Tafani, kandidati për Bashkinë e Belshit i Partisë Socialiste ka tri mandate si drejtues i kësaj bashkie, ka humbur në 2011 dhe Irakli Gorea, kandidati i PD¬së për Bashkinë e Divjakës, kërkon mandatin e tretë, pas dy mandateve të njëpasnjëshme në këtë Bashki dhe humbjes në 2011. E njëjta situatë dhe me Rustem Strugën, i cili kandidon për PS në Bashkinë e Pukës. Ai kërkon mandatin e tretë, pas dy mandateve 2003¬ 2011 dhe humbjes në 2011. Për pjesën tjetër, të dy koalicionet janë munduar të sjellin kandidatë të rinj të pakonsumuar. Gara do të tregojë në fund se sa bindës do të jenë kandidatët me përvojë dhe ata të rinj para elektoratit për të marrë drejtimin e bashkive ku ata garojnë.
(ed.me/BalkanWeb)



Etiketa: