Ajo që ndodhi në agun e të dielës së 24 shtatorit, ishte e rëndë, por e pritshme. Vuçiç dhe lobet që e mbështesin ndjehen pa një rrugëdalje diplomatike dhe pa shtegun e duhur për të destabilizuar djallëzisht Republikën e Kosovës.

Qëndrueshmëria prej malësori dhe gjakftohtësia prej shtetari e Albinit, janë thellësisht acaruese në Beograd. Gjuha e ftohtë dhe diplomatike e Ramës në kontekstin gjeopolitik rajonal, heq dyshimin se shqiptarët po thurin një konspiracion trasversal.

Suksesi i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe adresimet domethënëse të kryeministrit të Tiranës, në lidhje me Kosovën dhe pengesat ruse për njohjen e saj globale, në gjeopolitikën e madhe të Nju Yorkut, janë sigurisht një acarim tjetër i shumëfishtë.

Të ndodhur ndërmjet “dy zjarresh”, serbët dhe lobi i tyre me fole në Moskë, kanë humbur sigurisht durimin dhe kanë kaluar menjëherë në planin B: luftë e drejtpërdrejtë me armë dhe celula terroriste të mirëfillta. Ndoshta nxitimi nga njëra anë, ndoshta superpërgatitja e forcave të policisë së Kosovës, ndoshta informacionet e aleatëve, kanë bërë që faza e Parë e planit B, kundër Kosovës të dështojë.

Për ata që nuk e dinë, shkolla e shërbimeve paraushtarake, apo “specialët” serbë, janë të superkuotuar në Europë. Ti turpërosh ata, ti shpartallosh, si edhe ndodhi, kur kishin në krahun e tyre edhe befasinë, e degradon Beogradin dhe shkollën e vet ushtarake në nivele të ulëta.

Sipas analizës, edhe Kurti, edhe Rama, e lanë Presidentin e Serbisë, të çartafillosur dhe dy herë humbës: në nivelin ndërkombëtar dhe në nivelin ushtarak në përplasjen e drejtëpërdrejtë me Specialët e Kosovës, që e thyen turpshëm mitin lokal serb.

Janë pra Kurti dhe Rama të pa sinkronizuar?
Nisur nga deklaratat publike ata duken në trajektore të kithta, madje në përplasje. Por në Këshillin e Sigurimit në Nju York, ai e mbështeti Kurtin, pa e përmendur domosdoshmërisht me emër, duke ju ruajtur ekspozimit të tepërt.

Nga ana tjetër, çfarë bëri KFOR-i?
Mbylli në kufirin Kosovë-Serbi, të vetmen rrugë prej nga celulat terroriste, do të ktheheshin tek porositësit dhe do të humbnin gjurmët, sikundër kanë bërë shpesh. Kjo është një fitore e madhe e Kosovës dhe e Kurtit. Sepse KFOR-i ka tashmë kujtesë të mirë, nga urrejtja e serbëve që ishin masakrues ndaj tyre në pranverën e këtij viti. Dhe kështu terroristët ranë në çark.

Por lajmi i keq në këtë mes, është se serbët do të kërkojnë të hakmerren nga ky turpërim në fushën e luftës. Dhe duhet pritur me sy hapur dhe gishtin në këmbëz, lëvizja e tyre e radhës. Jo më kot presidenti Vuçiç, përmendi shumë herë përbetimin: “Mund të na vrasin të gjithëve, por ne Kosovën nuk do e njohim kurrë!”.

Parabolat me vdekjen serbët i kanë të shpeshta dhe për hir të së vërtetës, serbët dinë të vdesin në luftë! Janë kundërshtarë të denjë për shqiponjat shqiptare, sigurisht, por nga ana tjetër, duke dëgjuar skepticizmin e gazetarëve serbë me presidentin e tyre, kuptojmë se për Kosovën, sot e kësaj dite nuk duan të vdesin më, sepse e kuptojnë që nuk kanë asnjë shans për fitore…/360grade.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: