NGA MATILDA TOTA*

KUKËS- Familja Haziraj nga Kukësi prej ditësh kishte hapur dyert e mortit, në pritje të trupit të pajetë të vajzës së tyre të madhe Elanda, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike në Gjermani. Një telefonatë mbrëmjen e së mërkurës ‘trokiti’ në derën e kësaj familjeje, ndërsa dha lajmin e kobshëm për aksidentin ku mbeti e vdekur 23-vjeçarja dhe u plagos i fejuari i saj nga fshati Petreshë i rrethit të Elbasanit, Saimir Gjokpalaj.

Tronditja e thellë për vdekjen e së resë veshi në zi gjithë banesën, ku të afërm dhe bashkëqytetarë u mblodhën për të ndarë dhimbjen për humbjen e 23-vjeçares, e cila prej 5 muajsh gjendej në Gjermani me shpresën për të kërkuar azil politik. Janë dashur 3 ditë që trupi i pajetë Elës të mbërrinte nga Frankfurti për në lagjen 6 të qytetit verior ku ajo banonte. Arkëmorti me trupin e pajetë mbërriti në shtëpinë e familjes Haziraj rreth orës 15:00. Përcjellja e saj për në banesën e fundit u shoqërua me vajtime dhe lot pa fund, pasi përveç vdekjes së saj, ishin të pakta edhe orët e qëndrimit për herë të fundit me Elën, siç e thërrisnin ata. Trupi i saj qëndroi vetëm pak orë në banesën e prindërve, ndërsa u varros rreth orës 18:00. Sakaq, në ceremoninë mortore merrnin pjesë dhe familjarët e të fejuarit të saj, të cilët pritën si fillim trupin e Elandës në aeroportin “Nënë Tereza”, e më pas udhëtuan drejt Kukësit, por kësaj radhe jo për ta marrë nuse.

Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, djali i xhaxhait të viktimës, Haziraj rrëfeu dje mes lotëve dhimbjen e madhe për humbjen e Elës. “Çifti ishte martuar zyrtarisht, por Ela nuk u vesh kurrë me të bardha”, tregoi kushëriri i saj. Nga ana tjetër, ai shtoi se lajmin tragjik familja e kishte marrë nga telefoni përmes krushqve të tyre në Elbasan.

Kur e morët vesh lajmin e kobshëm?
Lajmin e hidhur e mësuam përmes familjarëve të djalit dhe shoqërisë së tyre në Gjermani. Nuk e besonim, do të donim të ishte gënjeshtër. Ka qenë babai i Saimirit ai i cili ka qenë duke folur në telefon me të. Aty është ndërprerë biseda për shkak se ka dëgjuar ulërima.

A e dini konkretisht se si ndodhi ngjarja?
Në fakt, kemi lexuar edhe në shtyp dhe kemi dëgjuar shumë versione, por e vërteta është se ne nuk kemi qenë aty për të parë. Edhe Saimiri nuk është në gjendje të tregojë. Por të tjerët na kanë thënë se Ela me Saimirin e disa të tjerë kanë qenë afër shinave të trenave. Ndoshta presioni i madh i shpejtësisë së trenave ekspres e ka shtyrë Elën te shinat dhe Saimiri mund të jetë hedhur për ta shpëtuar. Por të vërtetën do mund ta marrim vesh përmes Saimirit kur të bëhet më mirë, nëse ai mban mend ndonjë gjë. Di të them se është shumë e rëndë dhe e papërballueshme. Mos i ndodhtë askujt kjo që na ndodhi neve! Shkuan për jetë më të mirë por përfunduan keq. Fati i keq i tyre (përlotet dhe hesht).

Sa kohë kishin dy të rinjtë në Gjermani?
Kishin afërsisht 5 muaj që kishin ikur. Ishin të dy të papunë, megjithëse të dy të shkolluar. Djali kishte studiuar për Shkenca Politike ndërsa Ela kishte mbaruar për Gjuhë-Letërsi. S’kishin asnjë shpresë për punë. Si të gjithë të rinjtë, edhe ata shpresonim për një jetë më të mirë.

Ishin të martuar?
Ligjërisht po. Por Ela fustanin e nusërisë nuk arriti ta vishte.

Sa fëmijë ka xhaxhai juaj?
Ka 5 fëmijë, Ela ishte fëmija më i madh.

Është e vërtetë që u ishte refuzuar azili?
Me aq sa na kanë thënë neve, është e vërtetë. Por kishin shpresa ende. Ku do shkonin në Shqipëri, të papunë dhe të pashpresë?!

Kur erdhi trupi i pajetë?
Trupi i Elës erdhi dje në mesditë. Por ne nuk arritëm ta shihnim trupin e saj as për herë të fundit sepse ishte copëtuar, ishte dëmtuar tërësisht.
(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb