Ministrja e Arsimit, Evis Kushi në mbledhjen e sotme në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik foli për sigurinë në shkolla.

Kushi deklaroi se në këtë fushë ka pasur një bashkëpunim të suksesshëm, duke shtuar se është lidhur edhe një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme.

Gjithashtu Kushi tha se në arsimin parauniversitar janë vendosur 144 oficerë policie, për ofruar siguri në shkolla.

“Kemi 144 oficerë sigurie. Gjithashtu është lidhur një marrëveshje me Ministrinë e Brendshme dhe ka një bashkëpunim të ngushtë më stafin në shkollë. Shpesh rastet që janë problematike i referohen oficerit të sigurisë nga punonjësit psiko-social. pra kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë dhe rastet e nxënësve që mund të jenë problematike i referohen punonjësit psiko-social për të parandaluar më tej ngjarje shqetësuese në shkollë”, tha Kushi.

Më tej u ndal edhe tek përfshirja e prindërve në mësimdhënie.

Ministrja e Arsimit theksoi se në këtë fushë është bërë një punë shumë e madhe dhe se prindërit sot janë të përfshirë në të gjitha proceset e realizuara brenda ambienteve në shkolla, duke qenë pjesë e vendimmarrjeve të rëndësishme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb