Kryeministri Edi Rama ka sqaruar kushtet e reja që Bundestagu gjerman i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE. Nga foltorja e Kuvendit, Rama i është drejtuar opozitës, duke i thënë se kushtet e Gjermanisë janë njëlloj si kur shkon për një krushqi dhe ata të vendosin kushte, dhe pasi i plotëson këto kushte, ata të vendosin kushte të reja.

Në këtë kuptim, kreu i qeverisë tha se kjo gjë ndodh, pasi ata nuk janë gati për krushqi, duke sqaruar se edhe BE nuk është gati për hapjen e negociatave me Shqipërinë, dhe se një proces i tillë nuk ka lidhje me plotësimin ose jo të kushteve nga ne.

“Shqipëria sot është ku e ku në raport me kriteret dhe kërkesat e vendosura për integrimin. Dëgjova njërin këtu që tha se kishim 3 kushte, u bënë 9 kushte. Çfarë do me thënë kjo? KE para një viti tha “plotësoni këto 3 kushtet, që të hapim negociatat”. Ne këto 3 kushte i kemi plotësuar.

Nëse shkon për një krushqi dhe të thonë kemi këto 3 kushte, pasi t’i i plotëson të thonë se kanë kushte të tjera, kjo do të thotë se nuk janë gati ata. Mos u bëni qesharakë.

Maqedonia e Veriut, që sot me plot të drejtë shikohet me një sy më pak kritik, e di sa vite ka që pret t’i hapen negociatat, që sipas kërkesave të bëra nga vetë BE duhet t’i kishte hapur shumë e shumë vite më parë, por shikohet sot me këtë sy për shkak të një marrëveshje të madhe dhe zgjidhjes së një konflikti që ka çliruar një ngërç të madh.

Këtu do jemi, do shikoni se si për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Serbinë, Malin e Zi, do fillojë një proces kërkesash dhe ekzigjencash, që Shqipëria sot e ka nisur, që është procesi i një reforme në drejtësi, që do të thotë pastrim të sistemit nga të korruptuarit. Nuk e ka bërë asnjëri prej tyre.

Si e shpjegoni ju, që BE i thotë Kosovës, që unë liberalizoj vizat me ty, ti duhet të bësh delimitimin me Malin e Zi, dhe pasi Kosova e bën, BE nuk i liberalizon vizat. Çfarë është kjo? Korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë? Kush i ha këto, i hani ju. Nëse nuk i hani ju, mos ua jepni shqiptarëve t’i hanë, se këto janë broçkulla. BE nuk sot problemin e plotësimit ose jo të kushteve të Shqipërisë. BE sot ka një debat të brendshëm të imponuar nga dinamika të brendshme dhe të lidhura me një periudhë krize që ka marrë të përpjetën qysh me shpërthimin e lumit të refugjatëve”, theksoi Rama.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb