TIRANË
Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë ditën e nesërme një seancë të jashtëzakonshme në orën 10:00. Gazetari i “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj thekson se kjo seancë do të këtë kryefjalë të veprimit dekretimin e Marsida Xhaferllarit nga kreu i shtetit si anëtare të Kushtetueses. Po ashtu në seancën e nesërme do të votohet projekt-rezoluta në lidhje me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndër të tjera, Kuvendi pritet të marrë një vendim për këtë çështje, e cila ka çuar sërish në përplasje të fortë institucionet shtetërore.
Emri që ka çuar në përplasje institucionet është ai i Arta Vorpsit. Kjo e fundit u betua sot si anëtare e Gjykatës Kushtetuese tek noterja, ndërsa shmangi kështu traditën e betimit në presidencë. Për këtë ka reaguar edhe Presidenca, e cila tha se Ilir Meta nuk ndalon askënd të betohet tek noterja apo dhe tek parukierja, por tha se ai njeh vetëm ligjin dhe Kushtetutën.