TIRANE – Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e Partisë Demokratike, për ti hequr mandatin deputetit socialist Rakip Suli. I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24”, deputeti Rakip Suli citoi një këngë nga jugu, për të ironizuar kërkesën e demokratëve për heqjen e mandatit të tij.

“Nuk janë halle, por sebepe turpin e paçi për vete”- tha Suli, duke nënvizuar se PD nuk shqetësohej për mandatin e tij, por për reformën në drejtësi.

Deputeti socialist kujtoi se kolegu demokrat Eduart Halimi deklaroi në Kuvend pak kohë më parë se nëse Kushtetuesja nuk hiqte mandatin e tij, do të kërkonte falje publike.
“A do e mbajnë fjalën apo jo, zoti Halimi ka thënë se nëse nuk i hiqet mandati Rakip Sulit unë do kërkoj falje publike”- tha Suli.

Duke folur për zgjedhjet në Dibër dhe bashkëpunimin me aleatët, Rakip Suli tha se segmente të koalicionit nuk kanë qenë të angazhuar, por nuk mund të thuhet se kanë punuar kundër PS-së.

“As PS nuk e ka pritur rezultatin në Dibër. Të gjithë krerët e koalicionit ishin një skuadër, për një qëllim të përbashkët. Nuk mund të them që segmente brenda koalicionit kanë punuar kundër, mbase s’kanë qenë shumë të angazhuar, por jo se kanë punuar kundër”- deklaroi Suli.

Një ditë më parë, deputeti socialist Pjerin Ndreu deklaroi në ‘News24’ se segmente të koalicionit të majtë punuan kundër PS-së, në favor të kandidatit të djathtë në Dibër.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb