TIRANË

Kuvendi voton sot projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese” por ccështja e procedurave ka ngjallur diskutimet. Deputetja Rudina Hajdari tha se kuvendi vendoset para faktit të kryer duke kërkuar trajtimin e çështjes së procedurave në këshillin e legjislacionit.


Po kështu dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Rucci tha se kandidaturat nuk mund të diskutohen pasi Kuvendi nuk mund të diskutojë rreth profesionalizmit e performancës së kandidatëve duke kërkuar të mblidhet këshilli i legjislacionit për procedurat.


“Do doja që ta diskutojmë këtë çështje sepse është një nga çështjet më të rëndësishme që kemi sot. Ju e dini që në të dyja listat që i kanë ardhur Kuvendit të Shqipërisë, ato lista janë pak problematike sepse ne nuk kemi nga të përzgjedhim. Kemi 3 emra, që të paktën 2 prej tyre janë të përzgjedhur tek lista e parë dhe tek e dyta automatikisht në qoftë se të lista e parë përzgjedhim atë kandidate atëherë dhe tek e dyta kemi një kandidat tjetër, që ngelemi vetëm me dy kandidatë që janë të imponuar nga këto lista. Jemi para faktit të kryer. Duhet të gjejmë një zgjidhje këtu. Opozita në Kuvend patjetër do që të gjejë një gjuhë të përbashkët por nga ana tjetër ne nuk mund të thyejmë rregulloren dhe ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe procedurën që duhet të ndiqet nga Kuvendi i Shqipërisë. Prandaj ju lutëm nëse është e mundur që në pikat e tjera ne ta trajtojmë këtë çështje dhe po ashtu në Këshillin e Legjislacionit ku ne do mblidhemi dhe do flasim në lidhje me këtë çështje. Do jemi në gjendje që të gjejmë një dakordësi. Unë sugjeroj që të gjitha palët, qoftë edhe Presidenti të jemi sa më të qetë në lidhje me këtë. Të tregojmë vullnetin e duhur që ne do gjejmë një gjuhë të përbashkët për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Si do ta ngremë ne këtë gjykatë ka shumë të bëjë dhe është përcaktuese për të ardhmen e Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me integritetin e saj dhe ne patjetër nuk duhet ta cenojmë integritetin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Hajdari.


“Lidhur me shqetësimin e drejtë që znj. Hajdari trajton, kam kërkuar që të thirret këshilli i legjislacionit për të dhënë mendim mbi kushtetueshmërinë dhe procedurat e votimit për problemin. Ajo që thashë unë është që në kuvend nuk mund të diskutohet rreth kandidaturave. Kandidaturat janë diskutuar kur ato kanë aplikuar sipas ligjit, kur janë dëgjuar dhe janë seleksionuar nga komisioni i ligjeve, janë diskutuar nga organi i emërtesës që në rastin konkret është KED, kështu që kuvendi nuk ka kompetencën që të diskutojë rreth profesionalizimit, performancës së kandidatëve, ka ekskluzivitetin të votojë dhe këshilli i legjislacionit do diskutojë kushtetueshmërinë dhe procedurat e votimit. Prandaj

Këshilli i Legjislacionit të gjejë kohën që gjatë seancës të mblidhet dhe ta shqyrtojë kërkesën që unë i kam bërë sipas dokumenteve që i kam vënë në dispozicion”, tha kreu i Kuvendit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb