TIRANË

Ish-gazetari shqiptar i BBC-së, Ilir Kadia ka rrëfyer sot në 29-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike dy episode të historisë të parë në këndvështrimin e tij. Bëhet fjalë për djetorin e vitit 1990 me protestat studentore e më pas atentatin në parlament, në të dyja rastet protagonist Azem Hajdari.

Kadia kujton thirrjen e Azem Hajdarit në Qytet Studenti “nuk duam spektatorë” dhe si nisën njerëzit të mblidheshin e t’i bashkoheshin. Më tej ai tregon për plagosjen nga Gafur Mazreku, në të cilën ishte bërë dëshmitar i çasteve të para dhe bisedës mes dy ish-deputetëve.

Sipas Kadias, para plagosjes Azemi kishte shkëmbyer disa fjalë me Mazrekun, i cili më pas ishte çuar dhe kishte qëlluar, ndërsa ndihmën e parë e kishin dhënë demokratë e socialistë bashkë. Madje ai kujton se Gramoz Ruçi donte t’i lidhte plagën me rripin e pantallonave.

POSTIMI I GAZETARIT KADIA
Kur Azemi thërriste: “Nuk duam spektatorë!”
E kam fiksuar në kujtesë Azem Hajdarin tek sheshi para mensës të Qytetit “Studenti” të hënën e parë të pas revoltës studentore që priu të shtunën e atij dhjetori të ftohtë të 90-ës! Tirana ish gdhirë me lajmin se ishin rrahur studentët nga policia dhe qytetarët një nga një po vinin në atë shesh! Por pylli i tyre ish ende i rrallë! Azemi i vuri duart si hinkë para gojës dhe thërriti drejt dritareve e ballkoneve të konviktit të vajzave që shikonin sheshin prej andej, të pavendosura çdo bënin, t’i bashkoheshin atij apo të shkonin në auditorë! Azemi thërriste: “Nuk duam spektatorë, nuk duam spektatorë!”.

Ku ta dija unë që ajo thirrje jehonte e trokiste jo vetëm nëpër dritaret e të gjithë konvikteve të qytetit “Studenti” por edhe të gjithë shtëpive shqiptare që ushqeheshin me tollon apo xhamave të thyera të dritareve të uzinave e fabrikave që ushqenin punëtorët pa punuar me 80 përqind të pagës! Pastaj në shesh dhe në megafon kush nuk doli e kush nuk foli! Por kushtrimin e dha Azemi! Atë ditë e pashë për herë të parë! Miq u bëmë më vonë! Pas fillimit të transmetimeve të BBC në shqip në shkurt 93’! Azemi nuk pushoi asnjëherë që nga kushtrimi i parë e deri tek krismat e plumbave që i morën jetën pa bërë lajm!

Do tregoj për lajmin e plagosjes së tij në foltoren e parlamentit! Qëllova të jem atje! Kiço Blushi me ftoi të pinim një gotë në klubin e sallës së Parlamentit. Klubi plot! Në tavolinën krah tonës Gafur Mazreku, deputeti socialist që pak minuta më vonë do zbrazte koburen mbi Azemin që do fliste në foltoren ku një ditë më parë ishin kapur me duar si në një mundje mes kuksianësh e tropojanësh, ishte mes deputetësh të tjerë të partisë së tij. Azemi hyri në klub dhe shkoi drejt tek ai duke i vënë dorën në qafë. Nuk dëgjova çfarë i tha por mendova se i lypi pajtim! Ai iku dhe pak më vonë edhe Gafurri dhe fill pas tij…krisma e parë! Pastaj e dyta, e treta…!

Deputetët e klubit ia mbathën në çast! Mbeta vetëm me manjetofonin. Mu dha dhe e ndeza! Bëra të dal kur në atë pak holl ku dalin e hynë deputetët në sallë pashë Azemin që përpiqeshin ta ngrinin në krahë. Ishin Gramoz Ruçi, Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli…Gramozi hoqi rripin e pantallonave dhe desh t’i lidhte plagën, që dukej gjak, në kofshë! “Kam dy plumba në shpatull, Gramoz!”,- i tha Azemi. Manjetofoni im incizonte frymëmarrjen e vështirë të Azemit dhe fjalët e këmbyera mes deputetëve mjekë të Parlamentit! Dikush erdhi e tha se kish ndaluar një makinë të kuqe mirëpo ajo nuk mund të vinte deri tek dera sepse rrugën e kish zënë autobusi i RTSH që transmetonte drejtpërsëdrejti! Gramoz Ruçi,Tritan Shehu, Maksim Cikuli, Anastas Angjeli…nuk mbaj mend kush tjetër i lidhën duart kryq dhe formuan vigun mbi të cilin u shtri Azemi! Por ky ish vigu i fundit i formuar me duar të bashkuara mes demokratësh dhe socialistësh për Azemin! Tjetri do ish…arkivoli! Brenda tij Azemi nuk do e dëgjonte dot kushtrimin: “Azem, Azem, ti je gjallë!”
Tani Azemi…po vdes!

Kadia
Kadia

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb