TIRANË-Kuvendi nis sot procedurat për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Pas zgjedhjes më 4 dhjetor nga Kuvendi të 5 anëtarëve të Këshillit Drejtues të propozuar nga maxhoranca, tashmë Komisioni i Medias vijon procedurat për zgjedhjen e kreut të bordit.

Kreu i komisionit, Alfred Peza deklaroi në nisje të mbledhjes se në garë kanë mbetur 6 kandidatë, pasi 3 janë dorëhequr. Peza i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës të rikthehet në kuvend.

“Sot hapim procedurat për kreun e bordit të Këshillit Drejtues të RTSH-së.
Kanë mbetur 6 kandidatë, 3 janë dorëhequr. Në garë Kristaq Traja, Blerim Kola, Andi Kanaj, Basir Çollaku, Adrian Thano dhe Artan Mullaj. I bëj thirrje opozitës, të marrë pjesë në kuvend, të përmbushë detyrimet”, tha Peza.

Në këtë post drejtues të RTSH-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.

Këshilli Drejtues i RTSH-së përbëhet nga kryetari dhe nga 10 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një periudhë 5-vjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

Anëtari i njëmbëdhjetë, njëkohësisht kryetar i KD-së, zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb