DURRES- Teksa kryedemokrati Lulzim Basha i bënte thirrje kryeparlamentarit Gramoz Ruçi që të botohej në faqen zyrtare të Kuvendit, propozimi i opozitës për vettingun e politikës, diçka e tillë kishte ndodhur.

Nga Durrësi, ku u zhvillua mbledhja e përbashkët e grupeve parlamentare të partive opozitare, Basha pasi mësoi këtë fakt, kaloi në një kërkesë të dytë.

“I bëj sërish thirrje Ruçit, që të publikojë online propozimin e opozitës për vettingun në politikë, …” tha kryedemokrati Basha, ndërsa një nga deputetët ndërhyn duke e informuar se projektligji ishte publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

“Ah, u publikua. Atëherë bëj thirrje që të nisë sa më parë procedura parlamentare”, vijoi Basha.

Edhe këtë të enjte, deputetët opozitarë kanë bojkotuar seancën parlamentare, duke u takuar në një mbledhje të përbashkët në qytetin e Durrësit. Kujtojmë se më herët, kjo mbledhje është zhvendosur në qytetet Shkodër dhe Elbasan.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb