TIRANË- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë po diskuton sot aktin normativ për buxhetin. Ministri i Financave Shkëlqim Cani i pranishëm në komision deklaroi se rënia e të ardhurave në buxhet gjatë 7-mujorit të parë të vitit 2015 vjen si pasojë e modelit të ri ekonomik që po ndjek qeveria. Modeli i ri ekonomik, theksoi ministri Cani, zhvendoset nga importet tek prodhimi vendas dhe jo nga paaftësia e qeverisë për të grumbulluar tatimet dhe taksat.

Ministri raportoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave mbi Aktin Normativ që parashikon me ulje të ardhurat e planifikuara për të mbledhur në buxhetin e vitit 2015. Cani tha se janë mbledhur 15.5 miliard lekë më pak dhe shkaku kryesor për rënien e të ardhurave është ulja e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar dhe ulja e importeve të energjisë elektrike.

“2.3 miliardë lekë nga 15.5 miliardë lekë që mungojnë, janë për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare. 1.3 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së importit të energjisë elektrike. 1.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të uljes së normave të interesit bankar dhe pagesës së dividentit. 730 milionë lekë mungojnë për shkak të lehtësive fiskale në importimin e makinerive dhe lëndëve të para. 500 milionë lekë mungojnë nga importi i prodhimeve ushqimore. 2.2 miliardë lekë i mungojnë buxhetit për arsye se TVSH-ja e rimbursuar me sistemin e ri automatik të IT. 2 miliardë lekë mungojnë thjesht për shkak të një ndryshimi procedural në raportimin e taksës së qarkullimit, karbonit dhe ambalazhet. 2 miliardë lekë mungojnë për shkak të rritjes më të ulët të inflacionit. 3.2 miliardë lekë mungojnë për shkak të akcizës së cigareve, pasi ka rënë dukshëm, nga të gjithë treguesit, importi i cigareve, duke u zëvendësuar me prodhim vendi”, deklaroi ministri Cani.

Cani nënvizoi faktin se ndryshimet në buxhet nuk prekin defiçitin buxhetor, por konsistojnë në rishpërndarjen e shpenzimeve buxhetore mbi bazën e nevojave dhe urgjencave të reja të dala dhe të paparashikueshme, dhe që kërkojne financime të menjëhershme, ndërsa nënvizoi se 8.3 miliardë lekë janë kursyer vetëm nga shërbimi i borxhit për shkak të interesave të ulëta.

Ndryshimi i ligjit të buxhetit të vitit 2015 bën të mundur arritjen e disa objektivave të rëndësishëm, si evitimin e krijimit të detyrimeve të prapambetura dhe të rritjes së defiçitit buxhetor si rrjedhojë e mosrealizimit të të ardhurave, krijimin e kushteve optimale, me kuadër ligjor adekuat dhe fonde të nevojshme buxhetore për funksionimin e pushtetit vendor dhe fillimin e zbatimit të reformës së re administrativo-territoriale, si dhe rialokimin e burimeve të financimit të investimeve, nga financim i huaj në financim të brendshëm, duke garantuar që investimet të realizohen efektivisht dhe njëkohësisht ekonomisë t’i sigurohen incentivat e nevojshme për performim të mirë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: