NGA VALENTINA MADANI*

TIRANE-Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, pritet të thërrasë të martën pasdite Konferencën e Kryetarëve për të përcaktuar datën e seancës, ku do të kalohet ligji i vlerësimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Zyra e shtypit pranë kreut të Kuvendit, Ilir Meta njoftoi dje se ky i fundit ka thirrur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, e parashikuar për t’u mbajtur ditën e martë në orën 18:00. Sipas këtij njoftimi, në rend dite përfshihet diskutimi rreth një kalendari për sesion të jashtëzakonshëm parlamentar për shqyrtimin e disa prej projektligjeve, pjesë e paketës me 7 ligjet organike, të cilat shoqërojnë amendamentet kushtetuese të miratuara në seancën parlamentare të 21 korrikut.

“Bazuar në nenin 12, pika 2 e Rregullores së Kuvendit ka thirrur Konferencën e kryetarëve, ditën e martë ora 18:00. Mbledhja ka për rend dite diskutimin rreth një kalendari për sesion të jashtëzakonshëm për shqyrtimin e disa prej 7 projektligjeve prioritare, pjesë e paketës së reformës në drejtësi”, thuhet në njoftimin e Kuvendit. Ky njoftim vjen pak ditë pas lajmit se ditën e hënë pritet mbledhja e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, për diskutimin e projektligjit të ‘vettingut’, si dhe atyre për strukturën antikorrupsion dhe organizimin e sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Ndërkaq, në duart e ekspertëve të huaj janë dhe propozimet e demokratëve për projektligjin e ‘vetting’-ut, të cilat do të duhet të diskutohen në Komisionin e Reformës. Burime nga PD nuk konfirmojnë një mbledhje të mundshme të Komisionit të Reformës në fillim të javës, me argumentin se nuk ka ende një produkt për të cilin të diskutohet në tryezë. Gjithsesi, anëtarët e Komisionit të Posaçëm do të njihen me propozimet që do të kenë ekspertët e reformës lidhur me vërejtjet e EURALIUS dhe OPDAT mbi opinionet e PD-së për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe proku-rorëve. Mësohet se mbledhja do të ketë në axhendë edhe ligjin për organizimin e gjyqësorit dhe strukturën e posaçme antikorrupsion.

Pritet që kjo mbledhje do të përcaktojë nëse do të ketë seancë plenare javën e ardhshme për votimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, mungesa e të cilit bëri të pamundur hedhjen e shortit për institucionin e parë që duhej të ngrihej me miratimin e reformës, atë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kuvendi ka dy data në dispozicion për thirrjen e seancës, 25 dhe 29 gushtin. Para disa ditësh kreu i Kuvendit, Ilir Meta lajmëroi se ‘vetting’-u do miratohet brenda muajit gusht, duke paralajmëruar kështu mble-dhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, pikërisht për kalimin e tij me konsensus mes pozitës dhe opozitës.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: