Deputeti i PD-së Tritan Shehu ka folur para nisjes së seancës teksa ka mbërritur në parlament ku ndodhen forca të shumta policie dhe të Gardës e po kështu është vendosur një gardh metalik.
Shehu e cilësoi një shfaqje nga më të turpshmet që mund të ndodhë në një vend europian. Sa i përket aksionit opozitar, ai tha: “Do ta shikoni”.
“Ky është shtetrrethim, kjo është të shkatërrosh parlamentarizmin, të krijosh regjimin në Shqipëri dhe të zhdukësh bazat e demokracisë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Kemi qenë që në 1991 deputet, ka pasur momente të vështira. Është turp i botës, është turp i demokracisë, turp i lirive të parlamentarizmit. Opozita ka vetëm një rrugë realisht. Kjo nuk është rruga e opozitës, është rruga e gjithë Shqipërisë dhe kjo është mosbindja civile, kundërvënie ndaj regjimit sepse vetëm lëvizja popullore bën efekt asgjë tjetër.
Do ta shikoni, do ta dëgjoni nga ata që po e organizojnë. Kjo është një shfaqje nga më të turpshmet që mund të ndodhë në një vend europian”, deklaroi Shehu.