KOSOVE– Rezoluta për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është votuar nga partitë në mazhorancë në Kosovë, pasi sipas tyre nuk është arritur një dakordësim me opozitën. Nga 91 deputetë të pranishëm në Kuvend kanë votuar vetëm 50 prej tyre dhe të 50 kanë qenë pro rezolutës të propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës .

Kundër Rezolutës ishin PDK, AAK dhe Nisma, ndërsa pro Rezolutës kanë votuar deputetët e LDK-së, Vetëvendosjes dhe PSD-së. Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se PDK-ja është lidhur me emrin e presidentit Thaçi.

“Mazhoranca po e mbron verbërisht presidentin. PDK është e lidhur me emrin e presidentit Thaçi. Vetëm se problemi është Hashim Thaçi janë edhe dallimet tona. Situata që ndodhemi ne tash kërkon masa preventive. Ato janë që presidentit me ja ndal qe të merret me atë temë”, tha ai, raporton Zëri.

Ndërsa, deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Sejdiu tha se kjo parti do ta përkrahë sot rezolutën.

“Në shtator zoti Hoti më ka kontaktuar në lidhje me këtë rezolutë. Në atë kohë ne e kemi përkrahë edhe sot jam shprehë pro kësaj rezolute. Ne si PSD do të angazhohemi që Kuvendi të jetë institucioni në te cilin dialogu kthehet dhe ku merren vendimet”, tha ai.

Deputeti nga radhët e AAK-së Ahmet Isufi tha se nuk ka gatishmëri për të harmonizuar qëndrimet.

“Edhe pse u dakorduam të bëjmë një marrëveshje rreth harmonizimit të kësaj rezolute,nuk pat gatishmëri. Po vazhdojmë me avazin e vjetër duke u bllokuar në vetëm atë qe thonë vet. Ne kemi thënë që askush nuk ka te drejt të bisedoj për territorin e Kosovës. Unë konsideroj që është e kotë te flasim për unitet dhe për rezolutë të përbashkët dhe të pozicionohemi në atë qe themi unë apo tjetri”, tha ai.

Deputeti nga subjekti NISMA, Bilall Sherifi tha se opozita nuk ka pranuar të diskutoj.

” Të gjitha partitë e mazhorancës u dakorduam që pika e propozuar nga dy partitë opozitare të mbetet dhe të përforcohet. Ne ishim të gatshëm të heqim dorë edhe nga disa pika që i kemi propozuar gjatë ditës së djeshme. Ne erdhëm me pika qe ishim të gatshëm të diskutojmë por ata nuk pranuan. Ne mendojmë që ajo nuk është rruga e duhur. Ne mendojmë qe rruga e vetme për të ndalur një proces të tillë është që Kuvendi të nxjerr një platformë dhe delegacion”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb