TIRANË- Parlamenti i ri pritet të mblidhet të shtunën në seancën e parë konstituive për të japur kështu sesionin e ri. Por gazetarja Elda Menga raportoi për “BalkanWeb” se të shtunën do ketë dy seanca.

Paradite në orën 10:00 pritet të ngrihet komisioni për verifikimin e mandateve, ndërsa pasdite në orën 18:00 pritet të bëhet zgjedhja e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit dhe betimi i 140 deputetëve të rinj.

Për mbledhjen e radhës së parlamentit pritet mbledhja e konferencës së kryetarëve që do të vendosë se kur do të mbahet, raporton “BalkanWeb”.

Më pas do te jete konferenca e kryetarëve që do të vendosë se kur do të mblidhet seanca e radhës ku Edi Rama do të shpallë programin e ri të qeverisë. Kujtojmë se në vitin 2013 debati për programin ka zgjatur dy ditë.

Mbledhja e parlamentit do të paraprihet nga mbledhjet e tri grupeve kryesore parlamentare. “BalkanWeb” ka mësuar se LSI do të jetë e para që do të mbledhë grupin e saj parlamentar ditën e enjte në orën 11:00. Betimi i qeverisë së re pritet të ndodhë në nisje të javës ndërkohë konferenca e kryetarëve do të vendosë për seancën e radhës, gjatë së cilës kryeministri Rama do të prezantojë programin e ri të qeverisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb