Nga: EGLANTINA ALLIAJ
TIRANE– Parlamenti miratoi me 84 vota pro dhe 22 vota kundër projektligjin “për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”, që i garanton të drejtën çdo individi për t’ u njohur me informacionet dhe dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërkohë mazhoranca rrëzoi nismën ligjore të propozuar nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Gjatë diskutimit të dy varianteve nuk munguan akuzat mes palëve.

Çfarë parashikon projektligji i qeverisë
Ky ligj do të zbatohet për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944, deri 31 mars 1990, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë. Për këtë qëllim, do të ngrihet edhe Autoriteti për Informimin me të dhënat e ish-Sigurimit të Shtetit, që do të jetë një autoritet i pavarur, i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral, të cilët, ndër të tjera, duhet të përmbushin edhe kriterin e pastërtisë së figurës. Në funksion të ofrimit të garancive maksimale të pavarësisë, është parashikuar zgjedhja e anëtarëve fillimisht me shumicë të cilësuar, e vetëm në rast se dështohet të zgjidhen me këtë procedurë, anëtarët zgjidhen me shumicë të thjeshtë, në votimin e dytë. Autoriteti është parashikuar të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik. Rregullorja e funksionimit të tij, struktura dhe organika e Sekretariatit Teknik, miratohen po nga Kuvendi.

Mbledhja e dokumenteve
Ky proces funksionon në dy mënyra:
1. Vënia në dijeni e Autoritetit, kryesisht, nga autoriteti publik apo arkiva, kur këto janë në dijeni apo konstatojnë, gjatë përmbushjes së detyrave, se zotërojnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, apo kopje, ose dublikata të tyre; dhe
2. Me kërkesë të Autoritetit, kur ky ka arsye të mendojë se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkive.
Detyrimi për vënien në dijeni të Autoritetit mbi ekzistencën e dokumenteve dhe vënien në dispozicion të tyre, rëndon edhe mbi personat fizikë, ose juridikë privatë. Mospërmbushja e këtij detyrimi prej këtyre të fundit është parashikuar të përbëjë kundravajtje administrative.

Procedura për garantimin e të drejtës së informimit
Projektligji përcakton rregulla dhe procedura të detajuara për garantimin e të drejtës për informim për personat për të cilët ish-Sigurimi i Shtetit ka mbledhur të dhëna, bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit, të favorizuarit, rrethin e trashëgimtarëve të këtyre të fundit, institucionet, të interesuarit për qëllime hulumtuese, historike e të rivlerësimit politik dhe median. Kërkuesit i njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet kur ai ka cilësinë e të prekurit, palës së tretë, bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit. Kjo e drejtë përfshin njohjen dhe shqyrtimin e dokumenteve origjinale, ose dublikatave të tyre. Kur dokumentet, ose dublikatat, përveç informacioneve personale mbi kërkuesin, përmbajnë edhe të dhëna për të prekur të tjerë apo palë të treta, shqyrtimi i dokumenteve origjinale garantohet vetëm, kur kjo miratohet nga të prekurit e tjerë apo palët e treta, ose është e pamundur ndarja e të dhënave mbi të prekurit e tjerë apo palët e treta, ose është e mundur vetëm me përpjekje të pajustifikuara dhe nuk ka arsye për të prezumuar se të prekurit e tjerë apo palët e treta kanë interes të ligjshëm në mbajtjen e këtyre informacioneve të fshehta. Gjithashtu, do u jepet të prekurve informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. I prekuri, kur ka të tilla, jep në kërkesë të dhëna të cilat e mundësojnë gjetjen e dokumenteve. E drejta për të kërkuar informacion mbi ekzistencën e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për personat e vdekur dhe të shpallur të zhdukur, u njihet edhe të afërmve të tyre, sipas radhës: fëmijët; bashkëshortet, fëmijët e fëmijëve, prindërve, vëllezërve dhe motrave.

Kërkesa për zyrtarët
Përpara se të promovohen në një detyrë të lartë, kandidatët duhet që të verifikojnë figurën e tyre nëse kanë qenë, ose jo, bashkëpunëtore të sigurimit. Parashikohet që autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit. Krerët më të lartë të shtetit, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve të shtetit, do të duhet të tregojnë nëse kanë qenë anëtarë, ose kandidatë të Byrosë Politike, anëtar të Komitetit Qendror të PPSh-së, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, ministër apo zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryetar i Degëve të Punëve të Brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar apo ndihmësgjyqtar në procese politike, denoncues apo dëshmitar i akuzës në proceset politike. Informacione do të jepet edhe për ata që figurojnë në dokumente si punonjës, bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit apo i favorizuar, pas mbushjes së moshës 18 vjeç.

Zyrtarët që do tregojnë të kaluarën
Është një listë e gjatë zyrtarësh, të cilët para se të promovohen në detyrën e re, do të jenë të detyruar që të tregojnë edhe të kaluarën e tyre. Autoriteti që do të ngrihet, do të japë informacione për këta zyrtarë: a) Presidenti i Republikës; b) anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të Trupës së Nivelit të Lartë Drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlefshme me to; c) anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve; ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese; d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”; dh) prefektë; e) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Shërbimit Informativ Ushtarak dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës; ë) drejtues në Policinë e Shtetit, deri në nivel qarku dhe komisariati; f) drejtues të përfaqësive diplomatike; g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë; gj) anëtarët e Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike; i) drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar; j) drejtor dhe zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare; k) çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.

Zgjedhjet e deputetëve dhe kryetarëve të bashkive
Nëse ligji i ri hyn në fuqi para 21 qershorit 2015, atëherë opinioni publik do të ketë mundësi që të njihet nëse kandidatët e tyre kanë qenë, ose jo, bashkëpunëtorë. Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetarë bashkish apo komunash dhe kryetarë këshilli qarku, në lidhje me ekzistencën për ta të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet prej tyre për qëllime të transparencës së figurës, gjatë fushatave elektorale.

Informimi për qëllime të shërbimeve të inteligjencës
Dokumentet që përmbajnë të dhëna personale mbi personat e prekur apo palët e treta, nuk do të lejohen të vihen në dispozicion, ose të përdoren nga shërbimet e inteligjencës apo në favor të tyre. Përjashtim do të bëhet mbi dokumentet që përmbajnë të dhëna për punonjësit e shërbimeve të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun për këta punonjës apo për shërbimin e inteligjencës apo për punonjësit e shërbimeve të tjera të inteligjencës, kur përdorimi i të dhënave është i domosdoshëm për kundërspiunazhin.

Informimi i bashkëpunëtorëve
Autoriteti u jep bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. Informacioni mund të përfshijë edhe një përshkrim të llojit dhe vëllimit të veprimtarisë, një përshkrim të rrethit të personave mbi të cilët është raportuar, si dhe periodicitetin e raportimeve. Me kërkesë të tij, bashkëpunëtorit i garantohet e drejta e njohjes dhe shqyrtimit të dokumenteve të hartuara për të dhe i dorëzohen dublikata të tyre. Në dublikata do të duhet të bëhen të palexueshme informacionet personale për të prekurit apo palët e treta.

Kush quhet bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit
Bashkëpunëtor do të quhet çdo person që ka bashkëpunuar me organet e ish-Sigurimit të Shtetit, në veprimtari të karakterit politik që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, apo ka qenë bashkëpunëtor vullnetar për vepra të tilla. Gjithashtu, bashkëpunëtor do të cilësohet edhe ai që ka pasur një marrëdhënie pune apo shërbimi zyrtar me ish-Sigurimin e Shtetit dhe oficerët e ish-Sigurimit të Shtetit, me misione speciale apo ka deklaruar gatishmërinë për t’i dhënë informacione ish-Sigurimit të Shtetit. Bashkëpunëtor është dhe ai që ka pasur, ligjërisht apo faktikisht, kompetencën për t’u dhënë urdhra bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit në lidhje me veprimtarinë e tyre në favor të tij.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb