Pas disa orësh diskutime, Kuvendi ka miratuar në mbyllje të seancës plenare 3 projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Kështu, pavarësisht debateve nga ana e opozitës jo parlamentare, u miratua projektligji për Korporatën e Investimeve Shqiptare. Gazetari Ergys Gjençaj raporton për “BalkanWeb” se ky ligj u miratua me 77 vota pro, 19 vota kundër dhe 3 abstenim.


Po ashtu Parlamenti miratoi edhe ligjin për Buxhetit Faktik të vitit 2018. Mësohet se ky ligj ka marrë në Kuvend 79 vota pro, 20 kundër dhe 3 vota abstenim, ku pjesë e votimit janë bërë edhe deputetët e opozitës së re, të cilët kanë bashkuar votat me maxhorancën.


Ndërkohë Kuvendi miratoi edhe ligjin “Për masat shtrënguese ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, ku 83 vota ishin pro, 4 kundër e 4 abstenim.


Kujtojmë se kryeministri Edi Rama nuk ishte në seancën e sotme plenare, pasi ndodhet në Bruksel, në pritje të vendimit që do të japë nesër Këshilli Europian për çeljen apo jo të negociatave për Shqipërinë në BE.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb