Kuvendi i Shqipërisë ka prezantuar platformën e re të konsultimit publik, një nismë që synon të rrisë transparencën dhe përfshirjen e qytetarëve dhe shoqërisë civile në proceset parlamentare.
Gjatë tryezës së diskutimit, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi se kjo platformë përputhet me standardet europiane dhe është një hap i rëndësishëm në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Në fjalën e saj, Spiropali nënvizoi se transparenca është një nga vlerat kryesore të Kuvendit, e përcaktuar edhe në Planin Strategjik 2025-2030. Ajo tha se modernizimi i mekanizmave të punës së Kuvendit është thelbësor për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për t’u përshtatur me strukturat e vendeve anëtare të BE-së dhe Parlamentit Europian. Sipas saj, anëtarësimi në BE është kryefjala e punës së Kuvendit dhe çdo përmirësim duhet të udhëhiqet nga vizioni i përafrimit me standardet europiane.
Spiropali tha se platforma e re e konsultimit publik do të jetë më e aksesueshme dhe më efikase, duke synuar një pjesëmarrje më të gjerë të qytetarëve dhe grupeve të interesit. Ajo shpjegoi se ky sistem i modernizuar do të lehtësojë komunikimin institucional, do të reduktojë burokracinë dhe do të rrisë transparencën në procesin ligjvënës.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit propozoi dy ndryshime për ta bërë këtë platformë edhe më efektive. Sipas saj, është e domosdoshme që të gjitha aktet ligjore t’i nënshtrohen konsultimit publik, duke shmangur vendimmarrjen selektive të komisioneve parlamentare. Një tjetër element i rëndësishëm është përshpejtimi i afateve të konsultimit, duke bërë që aktet ligjore të publikohen automatikisht në platformë menjëherë pas vendimmarrjes në Konferencën e Kryetarëve, pa pritur depozitimin e tyre në komisione.
Në mbyllje të fjalës së saj, Spiropali u shpreh se përfshirja e shoqërisë civile dhe publikut në procesin legjislativ jo vetëm që do të demokratizojë më shumë punën e Kuvendit, por edhe do të forcojë lidhjen mes qytetarëve dhe institucioneve.