Në 33-vjetorin e themelimit të Forumit Rinor të Partisë Socialiste (FRESH), u zhvillua Kuvendi Rinor i Tiranës, një aktivitet ku morën pjesë drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu dhe Erion Veliaj, si dhe qindra të rinj të Forumit Rinor dhe Akademisë Politike të Partisë Socialiste.

Gjatë fjalës së saj, ministrja dhe drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu, vlerësoi energjinë dhe përkushtimin e të rinjve si bazë të rëndësishme për të ardhmen e Partisë Socialiste dhe vendit.

“Dua të shpreh mirënjohjen për çdo të ri të djeshëm që ka krijuar FRESH dhe çdo të ri të sotëm që vazhdon të kontribuojë për rininë, për Shqipërinë. Mirënjohje e jashtëzakonshme për ata që kanë kontribuar dhe kontribuojnë pa ndalur për zhvillimin e Shqipërisë.”, tha Manastirliu.

Ajo nënvizoi rëndësinë e angazhimit aktiv të të rinjve në politikë dhe shtoi se PS është një platformë e hapur për të gjithë ata brenda dhe jashtë vendit që duan të kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë.

“Ka shumë arsye që të rinjtë votojnë PS, dhe duhet t’i themi, punët e mira na lidhin së bashku.

Unë kam një thirrje sot, jo vetëm për të rinjtë e Tiranës, për të rinjtë e gjithë Shqipërisë, por edhe për të rinjtë e diasporës. Është një moment historik për të rinjtë e diasporës, për të gjithë shqiptarët në diasporë, për të dhënë votën e tyre, për të mbështetur Partinë Socialiste, sepse Partia Socialiste është partia e bashkimit të të gjithë shqiptarëve dhe mendon për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë dhe punojnë.”, iu drejtua të rinjve të Kuvendit Rinor të Tiranës, Ogerta Manastirliu.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb