TIRANE – Kuvendi i Shqipërisë ka krijuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë. Objekt kryesor i veprimtarisë së këtij Komisioni të Posaçëm Parlamentar do të jetë hartimi i një pakete të plotë projektligjesh, të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar do të asistohet nga një Sekretariat Teknik, që do të ngrihet pranë tij dhe do të funksionojë përgjatë gjithë kohëzgjatjes së veprimtarisë së këtij Komisioni.
Bazuar në vendimin nr.4/2014 “Për ngritjen dhe funksionimin e Sekretariatit Teknik”, Komisioni i Posaçëm Parlamentar, në funksion të përmbushjes së objektit të veprimtarisë së tij, fton për të kontribuar të gjithë ata profesionistë të së të drejtës që dëshirojnë të ofrojnë ekspertizën e tyre dhe analiza krahasuese me sistemet e drejtësisë ndërkombëtare.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar, gjithashtu fton dhe do të preferonte që të gjithë ata profesionistë të rinj, të angazhuar si ekspertë në fushën e ligjit jashtë vendit apo ndjekës të studimeve pasuniversitare ose studentë në fushën e drejtësisë, pranë universiteteve ndërkombëtare, të mund të kontribuojnë me njohuritë dhe përvojën e tyre, në këtë proces të rëndësishëm reformues të sistemit të drejtësisë.
Të gjithë të interesuarit për t’ u bërë pjesë e kësaj sfide dhe procesi reformues të sistemit të drejtësisë në vendin tonë, mund të shprehin interesin e tyre për t’ u angazhuar në rrjetin e konsultimit publik për këtë reformë, duke dërguar një letër motivimi dhe CV-në e tyre në adresën tonë elektronike : [email protected] brenda datës 15 shkurt 2015.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: