TIRANË- Parlamenti pritet të miratojë sot amendimet në ligjin që i hap rrugë prishjes së Teatrit Kombëtar. Opozita nuk do të jetë sërish në seancë, ndërsa është parashikuar që grupet parlamentare PD-LSI të mblidhen në Vlorë, pas Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit.

Por në seancën e sotme do të jenë të pranishëm dy deputetët e LSI, Lefter Koka e Vangjel Tavo. “BalkanWeb” mëson se Koka e Tavo do të jenë në parlament sot vetëm për procedurë pasi janë në limitet e afatit 6 mujor të mos-prezencës dhe prania e tyre në Kuvend është për të shmangur djegien e mandateve.

Të martën maxhoranca në Komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese, pranoi dekretin e Presidentit të Republikës duke i bërë disa ndryshime ligjit për Teatrin. Sipas amendimeve, hapet gara për realizimin e projektit si dhe zhvillimin e zonës përreth, në qendër të kryeqytetit.

Shumica u tërhoq nga ligji i posaçëm i propozuar më parë nga Qeveria, pasi hasi në kundërshtime nga Komisioni Europian, i cili në letrën dërguar autoriteteve shqiptare theksonte se i inkurajonte ato “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”.

Por sipas opozitës ligji ka rënë dhe sot maxhoranca duhet të kalojë në Kuvend vetëm dekretin e Presidentit, duke i thënë “Po” ose “Jo”.

Për opozitën, gara është formale dhe kompanitë që mund të ishin të interesuara janë në kushte të pabarabarta me kompaninë “Fusha”, kjo pasi afati që ju është lënë për dorëzimin e projektit është vetëm 30 ditë.

LETRA E OPOZITËS
Dje opozita e bashkuar i dërgoi një letër kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku i kërkonte të mos përfshijë në seancën e sotme ligjin për teatrin. Në letre e përbashkët që dy kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Edmond Spaho dhe Petrit Vasili i kanë dërguar Ruçit thuhet se “miratimi ‘pro’ i Dekretit të Presidentit, sjell automatikisht rrëzimin në tërësi të ligjit.”
Sipas letrës, në kushtet kur Komisioni përgjegjës pranoi dekretin, i vetmi veprim që duhet të kryejë Kuvendi në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren është votimi pro i dekretit dhe kthimi i ligjit mbrapsht në qeveri.

APELI I BASHËS
Dje kreu i PD-së Lulzim Basha pati një takim me artistë, intelektualë e qytetarë për çështjen e Teatrit.
Pas takimit Basha iu bëri apel deputetëve të Rilindjes të mos e votojnë sot ligjin për Teatrin, një ligj antikushtetues sipas kreut të PD-së. Votimi i amendimeve, tha Basha është një akt grusht shteti, ndërsa theksoi se të gjithë deputetët që do i votojnë do konsiderohen politikisht nga opozita si terroristë shtetërorë.
Gjithashtu kreu i PD-së tha se opozita do të mbajë një qëndrim të qartë dhe të prerë në varësi të ngjarjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb