Koreja e Veriut ka deklaruar se lëshimi i raketave të saj në hapësirë ujore një ditë më parë kishte për qëllim të paralajmërojë Korenë e Jugut para një stërvitje të planifikuar me SHBA-në në muajin gusht.

Sipas agjencisë zyrtare koreanoverior të lajmeve KCNA, “testi u realizua nën mbikëqyrjen e udhëheqësit, Kim Jong Un, ndërsa përfshinte një armë të re taktike që do të ishte e vështirë për t’u kapur”.

“Kim theksoi se mund të zhvillojmë sisteme armësh super të fuqishme për të mënjanuar kërcënimet potenciale dhe të drejtpërdrejta për sigurinë e vendit tonë që ekzistojnë në Jug”, raporton agjencia KCNA.

Përderisa Veriu percepton SHBA-në si pjesë e këtij kërcënimi nga Jugu, zyrtarët në Uashington ende presin që dialogu i nivelit të lartë mbi denuklearizimin të rifillojë së shpejti, ashtu siç u pajtuan në takimin e papritur në Zonën e Demilitarizuar mes dy Koreve presidenti amerikan, Donald Trump dhe Kim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dje në televizionin Bloomberg tha se ai parashikon që bisedimet me Phenianin të rifillojnë për disa javë duke iu shmangur lëshimit të fundit të raketave nga Koreja e Veriut.

Koreja e Veriut, tashmë e sanksionuar rëndë, është ndaluar të testojë raketat balistike nën rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb