TIRANE – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë i tërheq vëmendjen Kuvendit të Shqipërisë, deputetëve dhe partive parlamentare të nisin sa më parë procesin e plotësimit të KQZ-së, pasi dy prej anëtarëve u ka mbaruar mandati.

“Prej datës 18 Tetor 2015, dy prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu ka mbaruar mandati, ndërkohë që nuk ka asnjë hap të ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë lidhur me zëvendësimin e tyre, proces i cili duhet të kishte përfunduar jo më vonë se data 18 Shtator 2015. Mandati i anëtarit të KQZ-së me reformën zgjedhore të vitit 2012 u përcaktua të jetë 6 vjeçar, ndërsa ai i Kryetarit të KQZ-së 4 vjeçar. Me qëllim përtëritjen pjesore të anëtarësisë së KQZ-së, dy prej anëtarëve të saj iu përcaktua një mandat 3 vjeçar dhe përkatësisht mandati i znj. Albana Shtylla (zëvendësuar përgjatë mandatit nga znj. Edlira Jorgaqi) dhe mandati i z. Ilirjan Muho (zëvendësuar përgjatë mandatit nga z. Klement Zguri). Prej 18 Tetorit 2012 kur u bë betimi në Kuvendin e Shqipërisë dhe filloi zyrtarisht mandatin, trupa e KQZ-së ka funksionuar e plotë me 7 anëtarë vetëm për 15 muaj (përkatësisht në periudhën Tetor 2012 – Prill 2013 dhe Janar – Tetor 2015), për shkak të mosplotësimit të anëtarësisë së saj nga Kuvendi i Shqipërisë dhe subjekteve politike propozuese.”- thuhet në deklaratën e KVV-së.

Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, “ky qëndrim i përsëritur i Kuvendit të Shqipërisë, i deputetëve dhe partive parlamentare, dhe, veçanërisht, i subjekteve që duhet të propozojnë emrat e anëtarëve është jo vetëm jo korrekt dhe jo ligjor, por kompromenton thelbësisht seriozitetin dhe vullnetin e shfaqur prej tyre në ndërmarrjen e mëtejshme të reformave, të ndërtimit dhe mbështetjes së institucioneve të pavarura”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: