Policia moldave njoftoi të enjten se ka bastisur shtëpitë e drejtuesve të një grupi të lidhur me sipërmarrësin pro-rus në kërkim, Ilan Shor, në kuadrin e një hetimi penal për ndërhyrje në zgjedhje. Policia ka akuzuar zotin Shor dhe Rusinë se u përpoqën të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale të Moldavisë, që do të mbahen më 20 tetor, së bashku me një referendum për futjen në kushtetutë, si një objektiv strategjik, të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Shor, i cili gjendet i mërguar në Rusi, ka mohuar akuzat për përpjekje për të blerë vota, duke i përshkruar deklaratat e autoriteteve moldave si një “spektakël absurd”. Policia në ish-republikën sovjetike me popullsi prej 2.5 milionë banorësh, e ndodhur mes Rumanisë dhe Ukrainës, tha se dhjetëra mijëra votues u paguan nga llogari në një bankë ruse për të ndryshuar votën e tyre. Policia tha se përpjekjet u drejtuan nga persona në Rusi.
Llogaria e Shor në Telegram, një nga platformat më të njohura në internet në shtetet ish-sovjetike, u bllokua më pas në Moldavi, megjithëse njerëzit arritën të kenë qasje në një llogari alternative që ai hapi më vonë.
“Ky është fundi i demokracisë evropiane”, shkruajti Shor në platformën e mediave sociale ruse VKontakte, sipas medias moldave newsmaker.md. “Ata po arrestojnë njerëz për mbajtjen e një qëndrimi. Dhe tani po bllokojnë kanalet e Telegramit”.
Bastisjet e së enjtes ishin pjesë e një hetimi për krijimin dhe vënien në funksionim të një organizate kriminale të përfshirë në pastrim parash, blerje votash dhe financime të paligjshme që synonin të ndikonin në procesin zgjedhor, tha policia.
Bastisje të ngjashme u bënë në pronat e mbështetësve të tjerë të zotit Shor ditët e fundit dhe u zbuluan fonde që policia tha se kishin për qëllim blerjen e votave, si dhe fletushka të fushatës.
Shor, i cili u dënua në mungesë vitin e kaluar për rolin e tij në vjedhjen e 1 miliard dollarëve nga bankat moldave, ofroi në një postim muajin e kaluar në llogarinë e tij në Telegram, që të paguante personat që votuan “jo” në referendum.
Presidentja aktuale Maia Sandu është kandidatja favorite për të fituar zgjedhjet dhe anketimet tregojnë se ajo kryeson me lehtësi ndaj 10 kandidatëve të tjerë. Anketimet tregojnë gjithashtu se shumica e moldavëve mbështesin anëtarësimin në BE.
Marrëdhëniet e Moldavisë me Rusinë janë përkeqësuar vitet e fundit. Qeveria pro-perëndimore në Kishinau e ka akuzuar Moskën se po kërkon rrëzimin e saj dhe se po ndërhyn në punët e saj të brendshme. Moska ka akuzuar Presidenten Sandu dhe ekipin e saj për nxitje të “rusofobisë”./ VOA