Ish-deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 ngriti një tjetër shqetësim sa i përket Ndryshimeve Kushtetuese të Kodit Zgjedhor.

Me ndryshimet e bëra, Bylykbashi thotë po iu mohohet kandidatëve të pavarur të garojnë në zgjedhje. Ai thotë se përmes vendosjes së pragut prej 1% për ta, detyrohen të mos garojnë në zgjedhje.

Një gjë e tillë, shton ish deputeti, bëhet me qëllim që kryeministri Rama të minimizojë sa më shumë mundet, humbjen e tij.

“Po flasim për themelet, nuk është histori çfarë na intereson neve si parti. Ky proces po bëhet vetëm me një qëllim se si Rama të zvogëlojë të gjitha hapësirat që humbja e tij të jetë minimale. Një gjë është e sigurt, se opozita i fiton zgjedhjet dhe Rama ikën, por nuk mundet që ai të ndalojë kandidatët e pavaruar. Kjo u sanksionua që në 2008, nuk kishte prag zgjedhor për kandidatët e pavarur, ndërkohë tani i lejohet të garojnë po ju thuhet me ligj që ju që keni mundësi të garoni vetëm në një qark duhet të mblidhni 1% të pragut zgjedhor.

Ky është sistem paçavure rajonal. Të gjitha subjektet zgjedhore që të futen në garë për të fituar mandat me votat që kanë mbledhur, duhet të arrijnë 1% në shkallë kombëtare, nëse nuk e fitojnë 1% kandidatët e pavarur, për rrjedhojë ata përjashtohen. Me këtë jo vetëm dëmtohen partitë e vogla, por nuk do të ketë kandidatë të pavarur. Kjo është pabarazi. Po shkelet parimi kushtetues i barazisë. Është shkelur Kushtetuta, standardet ndërkombëtare vetëm e vetëm që humbja e Edi Ramës të jetë më e vogël, të minimizohet”,- tha Bylykbashi.

Bylykbashi tha ndër të tjera se: “Ne nuk i lejojmë të vjedhin votat, por ndryshimi i Kushtetutës dhe Kodit e kanë dëmtuar rëndë marrëveshjen e 5 qershorit, jo vetëm kanë prekur koalicionet por edhe një sërë të drejtash që kanë kandidatët. Sot nuk kanë rregulla se si do bëjnë fushatë këta kandidatë, si do bëhet financimi, se sa kohë do kenë me media dhe nëse dikush i vjedh votën ku do ta bëjnë ankimin. Nëse tani thuhet që 5 tetori nuk e prek 5 qershorin e kanë gabim”.

Por si do të hyjë opozita e Bashkuar në zgjedhjet e 25 qershorit me disa lista apo listë të vetme? Bylykbashi la të kuptohet se pavarësisht taktikës që do të zgjedhin, ata do jenë fitues të zgjedhjeve.

“Një sistem zgjedhor luan rol kur hapësirat janë të ngushta, nuk hyjmë të fitojmë me 10 vota, por për të fituar thellë. Taktika është diçka që do ta vendosim bashkërisht. Votimi preferencial bën që ne do të kemi më shumë kandidatë, se Rama është përpjekur të mbyllë diçka por i ka hapur digën diçkaje tjetër, pra nuk e ka mbyllur dot rrugën për kandidatët. Me banditë e ministra të korruptuar Edi Rama nuk i ndal dot shqiptarët që i’u ka ardhur shpirti në majë të hundës të votojnë kundër tij”,- tha më tej Bylykbashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb