Anila Jole, kryeredaktore e News24, në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, duke folur për ngjarjet kryesore politike, por jo vetëm në vend, tha se SPAK ka qenë kryefjalë e lajmeve dhe emisioneve.
“Ky është viti i SPAK për vetë emrat që ka prekur, duke nisur me Sali Berishën, ish-Presidentin Ilir Meta, zyrtarë dhe shumë kryebashkiakë. Pra ka prekur deri në majë dhe nëse bëhet drejtësi në nivelet e larta, ky vend mund të gjejë paqe”, tha Jole.
Ajo tha se arrestimi i Metës, në një kohë që Berisha ishte në masë sigurie “arrest shtëpie”, opozita mbeti pa asnjë prej liderëve të lirë.
Duke folur për arrestin me burg të Ilir Metës, Jole theksoi se publiku mirëpret çdo vendim të SPAK që është brenda ligjit. “Ka një lloj inflacioni të njerëzve që arrestohen ende pa u gjykuar. Ndoshta do të ishte më e udhës që të hetohej, gjykohej dhe më pas të vendosej dënimi. Arrestimi i Ilir Metës më duket më shumë si një shoë”, tha Jole.
Lidhur me dënimin e Ervin Salianjit, Jole tha se vepra penale e shpifjes nuk duhet të lihet pa u ndëshkuar, por në rastin e ish-deputetit demokrat mund të kishte një formë tjetër dënimi.
Arrestimi i Metës, sipas Joles, ishte lajmi i vitit, pavarësisht se në rrethe gazetaresh përflitej.
Gjatë emisionit, Jole tha se edhe gjatë këtij viti News24 mbetet televizioni i lajmit të fundit.
“Njerëzit e ndjekin pikërisht për këtë, lajmin e fundit, apo për transmetimet direkte. News24 ka mbetur një televizion shumë i shikuar, shumë i referuar, është një pikë referimi për lajmin dhe besueshmërinë e tij dhe kjo na bën krenarë”, tha Jole.