Bashkia e Shkodrës me anë të një komunikimi për mediat ka reaguar, pasi në disa shkolla të qytetit janë vendosur kutitë e votimit në KZAZ.

Nga kjo bashki thuhet se ndërhyrja e policisë është e paligjshme dhe aspak në përputhje me ligjet. Bashkia Shkodër shprehet se Këto veprime të pastra diktatorialo-politike, për hapjen e dhunshme me thyerje e dëmtim të institucioneve publike, po dhunojnë haptas dhe ditën për diell vlerat demokratike.

Në njoftim saktësohet se gjithashtu janë duke njollosur të drejtën e votës së lirë, të pa manipuluar, të barabartë apo të blerë nga mafia. Po ashtu, theksohet se është injoruar  urdhri i bashkisë.

KOMUNIKIM ME MEDIAT DHE QYTETARËT NGA BASHKIA E SHKODRËS

E indinjuar për mosrespektimin e urdhërit tim në lidhje me ambientet publike në pronësi të Bashkisë Shkodër nga KQZ-ja, urdhër i bazuar në Kushtetutë, Dekretin e Presidentit të Republikës, Ligjin 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. Në cilësinë e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, denoncoj publikisht ndërhyrjen e jashtëligjshme në institucionet në pronësi të qeverisjes vendore nga ana e Policisë së Shtetit.

Këto veprime të pastra diktatorialo-politike, për hapjen e dhunshme me thyerje e dëmtim të institucioneve publike, po dhunojnë haptas dhe ditën për diell vlerat demokratike. Gjithashtu janë duke njollosur të drejtën e votës së lirë, të pa manipuluar, të barabartë apo të blerë nga mafia.

Ne po monitorojmë dhe dokumentojmë hap pas hapi të gjitha këto akte të pakuptueshme ndaj pronave të qeverisjes vendore dhe po informojmë institucionet vendase dhe të huaja, si OSBE-ODIHR.

Ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të punojmë e lufftojmë për një Shqipëri brenda familjes Europiane, e cila dinjitetin dhe lirinë e personit njerëzor i vlerëson shtylla të zhvillimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb