Përfundon më në fund telenovela Dani Olmo te Barcelona. Liga spanjolle ka dhënë “ditën jeshile” për federimin e blerjes më të bujshme të verës së klubit katalanas. Mesfushori kampion Evrope u ble nga “blaugranat” javë më parë, por nuk mund të ishte në dispozicion të teknikut Flick për shkak të Fair Play Financiar, pasi Barça fillimisht do duhet të shiste e më pas të operonte në merkaton hyrëse.

Largimet e Gundogan dhe Lenglet si dhe dëmtimi së fundmi i mbrojtësit danez  Andreas Christensen, i cili sipas komunikatës së klubit do të mungojë për të paktën 4 muaj, kanë krijuar tashmë mundësinë që Barça të regjistrojë Dani Olmon dhe pse jo ta ketë të gatshëm për ta aktivizuar që këtë të martë në mbrëmje kur Barcelona do të luajë sfidën e vlefshme për javën e 3, atë ndaj Rayo Vallecanos në transfertë.

Së fundmi për ta komplikuar edhe më shumë çështjen ka menduar agjenti i Christensen i cili ka pohuar se dëmtimi i lojtarit nuk është aq i rëndë nga sa është raportuar nga klubi dhe se danezi mund të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë pas një muaji. Një konflikt që duhet zgjidhur sa më pare Brenda shtëpisë “blaugrana”, për të mos çuar akoma më shumë në zmadhimin e kësaj çështje për klubin, gjë e cila mund të kishte kosto të mëdha në imazhin e tij.

Ndërkohë sa i takon merkatos Barça është në luftë me kohën për Federico Chiesën. Sulmuesi Italian pëlqehet edhe nga Liverpool, siç bëjnë me dije në orët e fundit mediat në Apenine, i cili është i gatshëm të përfshihet në tratativa me Juventusin për të siguruar shërbimet e Chiesës, me skuadrën e Arne Slot e cila ka nisur nga sondazhet e para. Gjithsesi sipas po këtyre mediave Chiesa I ka thënë “Po” Barcelonës, problemi i vetëm mund të jenë çështjet financiare, të cilat kanë krijuar jo pak probleme për klubin katalanas vitet e fundit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: