Nga Jorgji KOTE

Ky pohim simbolik dhe real është i pranishëm në Belgjikë sidomos këto ditë, në kuadrin e festimeve të shumta me rastin e 21 korrikut, 186-vjetorit të krijimit të Mbretërisë së Belgjikës.

Shqipërimi i duhur i kësaj shprehjeje të huazuar nga dramë-komedia e njohur italiane “La vita est bella” dhe të “belgjikëzuar” mjeshtërisht në një komedi të spikatur muzikore belge të vitit 2014 vetëm me ndryshimin e një germe të vetme nga varianti i saj në frëngjisht, mund të ishte “Jeta e bukur belge” ose “Jeta është e bukur si në Belgjikë”.

Kjo logo tingëlluese gjatë dy viteve të fundit u vu në përdorim të gjerë publik pas atentateve terroriste të Parisit në nëntor 2015, dhe sidomos atyre të 22 marsit 2016 në Bruksel. Këto ngjarje tragjike, veç viktimave të shumta, ku jo pak autorë dhe bashkëpunëtorë të tyre ishin banorë të rrethinave në kryeqytetin belg dhe blindimi total disaditor i Brukselit pas tyre, solli pasoja negative të pallogaritshme për imazhin e Belgjikës dhe Brukselit, zemrës së euro-atlantizmit.

Filluan të mbizotërojnë frika dhe paniku, duke hedhur hije dyshimi mbi vlerat dhe arritjet e njohura të qytetërimit evropian. Dëmtimi i këtij imazhi u shoqërua me humbje tejet të mëdha ekonomike dhe financiare, si pasojë e shkurajimit të investitorëve të huaj, anulimit të rezervimeve të hoteleve, restoranteve, koncerteve dhe udhëtimeve turistike për në Belgjikë nga vende të mëdha si Japonia, SHBA-të etj; gjatë vitit të kaluar, të ardhurat nga turizmi ranë gati 50 për qind, me efekte edhe më të mëdha në nivelin e punësimit, tregtisë etj.

Kësisoj, në rend të ditës për shtetin, qeverinë dhe shoqërinë belge doli dhe nevoja e një marketingu të fuqishëm dhe efektiv, për të krijuar një imazh krejt tjetër pozitiv për Belgjikën dhe sidomos Brukselin; që ky i fundit të shihej sërish si “the place to be”. Mirëpo, kjo nuk mund të arrihej vetëm me slogane mediatike apo me atraksionet e njohura si Grand Place, Manekin Pis, Atomiumi, qyteti i Bryzhit ose siç njihet “Venecia e Veriut”; në kushtet e reja kërkohej që “jeta e bukur belge” të mos ishte dukuri virtuale, por me përmbajtje reale, që të shihej dhe prekej kudo dhe nga të gjithë.

Ndaj puna filloi me hartimin dhe zbatimin e paketave dhe programeve tërësore për përmirësimin rrënjësor të gjithë treguesve të sigurisë, por pa mbyllje të shoqërisë, si dhe indekseve ekonomike e sociale etj. Synimi ishte që Belgjika, dhe sidomos Brukseli, të rifitonin statusin e privilegjuar të mëparshëm. Hapat dhe arritjet e mësipërme u bënë bazë solide për kapërcimin e shumë pengesave dhe suksesin e fushatës lobuese me logon “La vie est belge” sidomos jashtë vendit.

Analizën e plotë mund ta gjeni sot në Gsh.al duke klikuar në linkun:
http://www.gsh.al/2017/07/20/la-vie-est-belge/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb