TIRANE

Policia e Tiranës pas një hetimi me metoda speciale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës finalizuan operacionin e koduar “Laboratori”, në ngarkim të një grupi kriminal në drejtim të tregtimit të lëndëve narkotike. Pjesë e grupit ishin 5 persona.

Policia ka arrestuar: F. N., 30 vjeç, i dënuar më parë, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, dhe P. P., 27 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u proceduan penalisht për veprën penale “Moskallëzim Krimi”, shtetasit: B. N, 36 vjeçe, B.S., 43 vjeç dhe G.G., 47 vjeç, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje narkotikesh”.

Koka e grupit dyshohet se ishte shtetasi F. N., i njohur ndryshe me pseudonimin “Loli Verës”, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, si P. P. me pseudonimin “Pipo” shisnin në formë dozash dhe në sasi të konsiderueshme lënde të dyshuar Heroinë dhe Kokainë. Këta shtetas shitjen e lëndës narkotike Heroinë dhe Kokainë e bënin në disa zona të Tiranës.

Për këtë aktivitet kriminal personat kishin përshtatur një apartament për përpunimin, përzerien, ambalazhim, e lëndës narkotike Heroine dhe Kokaine dhe më pas ua shisnin klientëve në doza të vogla.

Në momentin e ndërhyrjes shtetaseve F.N dhe P.P gjatë kontrollit fizik policia u ka gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike në formë dozash, ku më pas kontrolli ka vijuar në banesa ku gjithsej janë gjetur e sekuestruar rreth 1 kilogramë e 864 gramë Heroinë, nga kjo sasi një pjesë ishte e përgatitur në 353 doza, 202 gramë Kokainë, rreth 50 mijë lekë , peshore elektronike, frulator grirës, sitë e sende të tjera që shërbenin për përzierjen dhe ambalazhimin e lëndës narkotike.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasve F.N., P.P., si dhe për “Moskallëzim Krimi” ne ngarkim te shtetasve B.S, B.N dhe G.G..

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb