Nga: KLODIANA LALA*


TIRANE – Cezar Adolfo Avila dhe Walther Moren Juan Moreno, dy kolumbianët e dyshuar si ekspertë të përzierjes së kokainës, të cilët u vunë në pranga në Xibrakë të Elbasanit, ku u zbulua një laborator përpunimi drogërash të forta, kanë hyrë në Shqipëri dy muaj më parë. Në dëshminë e dhënë para prokurorëve të Krimeve të Rënda, dy të dyshuarit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, kanë shpjeguar me detaje veprimtarinë që kryenin në ish-Repartin Ushtarak në fshatin Xibrakë. “Jemi kontaktuar nga një shqiptar, që të vinim në Shqipëri, me qëllim që të bënim përzierjen e drogërave. Na u premtua pagesë e lartë dhe vendosëm të pranonim. Udhëtuam drejt Shqipërisë dy muaj më parë. S’kemi marrë asgjë”, kanë shpjeguar Cezar Avila dhe Walther Juan Moreno.



Dy kolumbianët, që sipas prokurorisë, deri më tani dyshohen të kenë kryer rolin e ekspertit për përzierjen e drogërave, kanë shpjeguar më tej, mënyrën sesi punonin në laborator, por sa u përket emrave të kapove të trafikut nuk kanë mundur të japin detaje. “Mund të themi se ne njohim vetëm personat me të cilët kemi punuar në ambientin ku ishin montuar pajisjet, ku ne të kryenim punën tonë. Nuk dimë se kush fshihej pas kësaj veprimtarie dhe cilat linja ndiqeshin”, u thanë hetuesve të dyshuarit.
Sa i përket pagesës që do të merrnin, ndonëse flitet për shifra shumë të larta, dy shtetasit kolumbianë, u kanë thënë prokurorëve, se pavarësisht punës që kanë kryer nuk kanë përfituar asnjë pagesë. Ndonëse, dëshmia e tyre, nuk ka qenë shumë e fortë për hetuesit, të cilët kanë rënë në gjurmët e një grupi tejet të strukturuar kriminal, janë duke kryer verifikime dhe hetime për vërtetësinë e saj.
Prokurorët po verifikojnë të gjitha lëvizjet e kolumbianëve, kontaktet që kanë patur në Shqipëri, me persona të huaj apo shqiptarë, bisedat telefonike që kanë kryer. Gjithashtu u është kërkuar informacion bankave të nivelit të tyre, nëse Cezar Avila dhe Ëalther Juan Moreno gjatë qëndrimit të tyre në vendin tonë, kanë bërë ose jo transferta bankare.
Dyshimet e hetuesve
Ndonëse kolumbianët kanë pranuar se në Shqipëri ishin vetëm për të realizuar përzierjen e drogërave, kryesisht të llojit kokainë, për hetuesit, hetimet do të shtrihen edhe më tej, pasi ka dyshime se mund të kenë ardhur në vendin tonë, edhe si garantë të dorëzimit të mallit. Në fakt, një dyshim i tillë, ende nuk ka baza të forta, por përgjimet nxjerrin në dritë disa fakte, që hetuesit po i analizojnë, për të përcaktuar rolin e gjithsecilit prej të dyshuarve në rrjetin e trafikut ndërkombëtar të drogës, që mendohet se gjeneronte miliona euro.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)